Irani e fajëson Izraelin për vrasjen e shkencëtarit bërthamor

  • G.G /
  • 28 November 2020 - 08:36
Irani e fajëson Izraelin për vrasjen e shkencëtarit bërthamor

Presidenti i Iranit, Hassan Rouhani, të shtunën e fajësoi Izraelin për vrasjen e një shkencëtari të njohur iranian në fushën e energjisë bërthamore, për të cilin Perëndimi për një kohë të gjatë ka dyshuar se ka udhëhequr një program të fshehtë për bombë bërthamore.

Udhëheqësit fetarë dhe ushtarakë të Iranit kanë kërcënuar me hakmarrje për vrasjen e shkencëtarit Mohsen Fakhrizadeh, për të cilin mediet iraniane raportuan se vdiq në spital pasi vrasësit e qëlluan me armë zjarri në veturën e tij afër Iranit.

“Edhe një herë tjetër, duart e liga të arrogancës globale u njollosën me gjak të regjimit uzurpator mercenar zionisht”, tha përmes një deklarate presidenti iranian, duke iu referuar udhëheqësisë së Izraelit.

“Vrasja e martirit Fakhrizadeh shfaq dëshpërimin dhe thellësinë e urrejtjes së armiqëve tanë. Martirizimi i tij nuk do t’i ngadalësojë të arriturat tona”, thuhet më tej në deklaratë.

Vdekja e këtij shkencëtari mund të nxisë përleshje mes Iranit dhe armiqëve të tij në javët e fundit të presidencës amerikane të Donald Trumpit, duke i vështirësuar kështu përpjekjet e presidentit të zgjedhur, Joe Biden, për ta kthyer përmirësimin në raporte që u shënua gjatë mandateve të ish-presidentit Obama.

(Kosova Sot Online)