Fatmir Limaj nga Prekazi uron Festat e Nëntorit kërkon unitet e bashkim

  • G.G /
  • 28 nëntor 2020 - 10:40
Fatmir Limaj nga Prekazi uron Festat e Nëntorit kërkon unitet e bashkim

Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka zgjedhur sot Prekazin për ti uruar të gjithë shqiptarët anekënd botës me rastin e Festave Kombëtare të 28 Nëntorit.

Për Limajn sot është një moment i veçantë sepse në Prekaz nderohen tri data të rëndësishme; Ditëlindja e komandantit legjendar Adem Jashati, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe Ditën e Flamurit.

“Shfrytëzoj rastin që në këtë moment t’ju uroj gjithë shqiptarëve kudo që janë festën e flamurit. Lavdi, nderë, respekt dhe përkulje të përjetshme gjithë dëshmorëve të kombit ndër breza, të cilët kultivuan, ruajtën dhe lartësuan identitetin, vlerat dhe flamurin tonë kombëtar. Sot është një moment i veçantë sepse në Prekaz ne nderojmë tri data të rëndësishme; Ditëlindjen e komandantit legjendar, daljen e parë publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe ditën e flamurit. Porosia ime është që të gjithë qytetarët e Kosovës kudo që janë të kujtojnë se sa dhimbje, vuajtje e sakrificë ka bërë populli ynë ndër breza për të arritur këtë moment”, ka shkruar Limaj.

Lideri i Nismës ka thënë se sot më shumë se kurrë duhet bashkim e unitet në luftën për shtetndërim dhe për të vërtetën historike, që sipas tij, po luhatet e kërcënohet nga ata të cilët dje na kanë kërcënuar lirinë tonë.

“Sot, më shumë se kurrë na duhet bashkim e unitet në luftën tonë në shtetndërtim dhe për të vërtetën tonë historike, e cila po na luhatet e kërcënohet nga ata të cilët dje na kanë kërcënuar qenien tonë, lirinë tonë dhe sot bëjnë përpjekje për të kërcënuar të vërtetën tonë, historinë tonë, themelet e shtetit tonë, që janë të ndërtuara mbi shkronja e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dëshmorëve të UÇK-së, burrave dhe grave, veteranëve, invalidëve dhe gjithë atyre njerëzve të cilët nuk kursyen asgjë për të dhënë për lirinë e Kosovës. Urime Festa e Flamurit! Lavdi Dëshmorëve të Kombit ndër breza që nuk kursyen asgjë për ta lartësuar e për të valuar i lirë flamuri ynë kombëtar”, ka thënë ndër të tjera ai. 

(Kosova Sot Online)