Hotit apo SBASHK-ut, kujt do t’i binden sot për mësimin në shkolla

  • E.K /
  • 30 November 2020 - 08:41
Hotit apo SBASHK-ut, kujt do t’i binden sot për mësimin në shkolla

Qeveria e Kosovës me anë të një njoftimi ka bërë të ditur se sot do të mbahen mësimi i rregullt në shkollat e Kosovës. Mirëpo, me këtë vendim të ekzekutivit nuk po pajtohet SBASHK-u, duke e shpallur këtë ditë ditë pushimi.

SBASHK-u nuk po pajtohet me vendimin e Qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që sot të jetë ditë pune në shkollat e vendit.

E hëna e fundit e nëntorit i ka gjetur mësimdhënësit dhe nxënësit konfuz. Kjo pasi Qeveria e Kosovës dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët rreth asaj se a do të zhvillohet mësimi apo do të pushohet sot për nder të 28 Nëntorit që këtë vit përkoj në ditë vikendi.

Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jashari në një përgjigje ka thënë se sot duhet të jetë ditë pushimi, pasi mësimdhënësit i kanë njoftuar kësisoj nxënësit e tyre gjatë ditës së premte sipas kalendarit të këtij viti.

“Ne e kundërshtojmë vendimin e Qeverisë që nesër të zhvillohet mësimi në shkolla. E hëna duhet të jetë ditë pushimi sipas kalendarit të këtij viti. Të premten profesorët e orëve të para të mësimit kanë bashkëbiseduar me nxënësit për 28 Nëntorin dhe pastaj kanë treguar se bazuar në Kalendarin për këtë vit shkollor, e hëna është ditë pushimi”, ka thënë Jashari.

Në anën tjetër, Qeveria e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës, kanë bërë të ditur se në të gjitha institucionet arsimore në vend, ditën e sotme do të punohet me orar të rregullt.

Antigona Baxhaku, këshilltare politike e kryeministrit Avdullah Hoti, ka thënë se dita e sotme është ditë e rregullt e punës, andaj edhe në institucionet arsimore në vend, do të punohet me orar të rregullt.

“Dita e hënës është ditë e rregullt e punës në të gjitha institucionet shtetërore. Në institucionet arsimore në të gjitha nivelet do të punohet me orar të rregullt, në përputhje me masat anti-Covid të ndërmarra nga Qeveria”, ka thënë ajo.

Ndërsa, edhe nga Ministria e Arsimit kanë bërë të ditur se qëndrimi i tyre është i njëjtë me atë të kryeministrit Hoti, edhe pse nuk është përkrahur nga SBASHK-u.

Nga kjo ministri kanë thënë se mësimi do të zhvillohet në të gjitha shkollat në Kosovë.

(Kosova Sot Online)