Kush është Shpejtim Bulliqi, kryetari i ri i Podujevës

  • G.G /
  • 30 November 2020 - 11:09
Kush është Shpejtim Bulliqi, kryetari i ri i Podujevës

Fitues i zgjedhjeve në Podujevë gjatë ditës së djeshme doli LVV-ja. Partia e Albin Kurtit arriti që për herë të parë pas 20 vitesh t’ia marrë LDK-së bastionin kryesor të saj, Podujevën.

Vetëvendosje kishe vendosur për kandidat për të parin e Podujevës, Shpejtim Bulliqi, shkruan lajmi.net. Sipas rezultateve që u  publikuan nga KQZ, Bulliqi ka fituar 51.6 përqind.

Shpejtim Bulliqi, është lindur në shtator të vitit 1968, në fshatin Llugë, Podujevë. Ka përfunduar studimet themelore, ato të magjistraturës dhe doktoratës në Departamentin e Gjeografisë në Fakultetin e Shkencave Matematiko-Natyrore, në Universitetin e Prishtinës.

Është aktivizuar në lëvizjet studentore e politike nga fillimi i pluralizmit politik në Kosovë në vitet e ,90-ta në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Nga viti 1993 është mësimdhënës universitar në Departamentin e Gjeografisë në Universitetin e Prishtinë. Në vazhdën e studimeve në fushën e Gjeografisë deri me tani ka botuar një numër publikimesh profesionale e shkencore si dhe monografi që lidhën me fushën specialistike të tij.

Ne kuadër te kontributeve shkencore e profesionale deri me tani ka qenë pjesëmarrës në një numër projektesh e konferencash shkencore në nivel vendi e ndërkombëtare. Në dy mandate ka qenë i zgjedhur Këshilltar në Kuvendin Komunal në Podujevë. Deputet në legjislaturën e V-të të Kuvendit të Republikës së Kosovës, dhe qenë anëtar i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini e Sport. Aktualisht është Kryesues i Komisionit Shtetërorë për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit. Tashmë pjesë e Lëvizjes VETËVENDOSJE!, ai vazhdon të japë kontributin e tij politik si anëtar i saj.

Kujtojmë, se zgjedhjet në Podujevë u mbajtën pas dorëheqjes së Agim Veliut nga posti i kryetarit të komunës në shkurt të këtij viti, pasi u emërua ministër i Punëve të Brendshme në qeverinë Kurti.Zgjedhjet e caktuara për muajin mars u shtynë për shkak të pandemisë.

(Kosova Sot Online)