Ministri Zemaj: Do të shohim mundësitë për rimbursimin e pacientëve me Covid-19

  • G.G /
  • 30 November 2020 - 12:56
Ministri Zemaj: Do të shohim mundësitë për rimbursimin e pacientëve me Covid-19

Ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, në seancën e sotme plenare, është shprehur se do t’i shohin mundësitë financiare, për rimbursimin e pacientëve të infektuar me virusin Covid-19.

Ai ka kërkuar nga deputetët e Kuvendit të Kosovës që të votojnë Projektligjin për Rimëkëmbje Ekonomike, pasi që sipas tij, ai do t’i ndihmonte shumë qytetarëve.

“Ajo që na ka munguar ka qenë pamundësia për t’i rimbursuar pacientët me forma më të lehta të trajtimit. Andaj duhet të jetë një arsye më shumë që të miratohet ligji, që qytetarët tanë të ndihmohen edhe në aspektin sociale edhe ekonomik. Shpresoj që mundësitë dhe kapacitet tona t’i shohim si Qeveri edhe me miratimin e këtij ligji”, ka thënë ai.

Përndryshe, Zemaj tutje ka thënë se ministria ia ka siguruar të gjithë pacientëve me Covid-19, terapitë e nevojshme.

Sipas tij, me rritjen e numrit të pacientëve të hospitalizuar, është rritur edhe kërkesa për terapi.

“Është shumë e natyrshme që kur rritet numri i rasteve të hospitalizuara, rriten edhe kërkesat për terapi. Ministria e Shëndetësisë, pacientëve që janë të shtrirë ia siguron të gjitha terapitë që janë të caktuara me protokolle, me përjashtim të remdesivirit, i cili ende nuk është siguruar nga Ministria e Shëndetësisë”, ka shtuar ai.

(Kosova Sot Online)