Si e lanë suharekasit Titon ‘pa tekst’, ai u detyrua të ndalet aty, pa e pasur në plan

  • G.G /
  • 01 dhjetor 2020 - 16:36
Si e lanë suharekasit Titon ‘pa tekst’, ai u detyrua të ndalet aty, pa e pasur në plan

Më 11 Prill, gazeta “Rilindja” tregonte se Kosova ishte bërë gati që të priste Titon. Më 12 prill, Tito erdhi në Kosovë. Ardhja e tij u realizua me tren. Ndalesa e parë ishte Mitrovica dhe ata që i donte më së shumti jo vetëm Tito, minatorët e Trepçës. Ditën e parë e kaloi aty.

Më pas të nesërmen iku në Gjilan, Ferizaj. Tek në ditën e tretë dhe të fundit, u nis për në Prizren. Atje vizitoi e çka nuk vizitoi. E kur po kthehej, mbeti i habitur nga suharekasit që kishin mbushur rrugën në dy anët e saj. E në ndërkohë brenda gjigantit “Ballkan” gjërat ishin bërë gati që nëse ndalet TITO, nuk do t’i zinte “off-side”. Por, Tito s’kishte në intenerar ndalesë në Suharekë, mirëpo s’mundi të rezistojë.

“Si në çdo lagje, fshat e qytet, kah kaloi kolona e automobilave me musafirët e partë, edhe në Suharekë ishin tubuar qindra e mija pleq e të rinj, pinerë e pioneer. Në çdo anë fytyra të buzqeshura. Në secilin kënd lule të freskëta pranverore dhe flamuj shtetërorë, partijakë e kombëtarë. Edhe fabrika ‘Ballkan’ ishte veshë në petkun solemn. Dy repartet më të mëdha ishin stolisur me tepih të bardhë”, shkruhet në Rilindjen e 15 prillit 1971.

Në Suharekë Josip Broz Titon, i cili ishte bashkë me bashkëshorten Jovankën, e priti te Ballkani, drejtori famoz dhe shumë i suksesshëm Bajram Bytyçi dhe sekretari i Komitetit Komunal të Lidhjes së Komunistëve në Suharekë, Ymer Gashi. I pari i kishte treguar Titos për dy repartet e mëdha, atë të shiritave transportues dhe rripave trapez, teksa kur po dilte jashtë Tito, e priste befasia.

Mijëra qytetarë e shumë punëtorë me lule, një tribunë që thirrte për fjalime. Foli i pari Ymer Gashi.

“E ndiej veten posaçërisht të nderuar që kam rastin t’ju përshëndes në oborrin e kësaj Favrike të vetme të komunës sonë, përndryshe të varfër, në të cilat po e krijojmë klasën e re punëtore. Gjithmonë mirëse ardhshi dhe na jetosh sa malet, shoku Tito”.

E vet Tito duke u falënderuar punëtorëve të “Ballkanit” dhe banorëve për mikpritjen, kishte thënë se klasa punëtore, posaçërisht të rinjtë, duhet të zhvillojnë e forcojnë edhe më shumë “vllazërimin e bashkimin dhe të mos lejojmë askend që t’ua cenojë këtë fryt më të çmueshëm të Revolucionit tonë”.

Pak muzikë e valle nga Shoqëria Kulturore-Artistike e shkollës fillore “Vllazërim-Bashkim” (sot “7 Marsi”), dhe një fotografi me të gjithë të rinjtë. Kjo ishte vizita e TITO-s në Suharekë, atë ditë prilli që thuhet se ka qenë ditë me diell dhe e mrekullueshme.

(Kosova Sot Online)