Kur do të vaksinohen personat e parë me vaksinën e Pfizer-it në Britani

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 09:25
Kur do të vaksinohen personat e parë me vaksinën e Pfizer-it në Britani

Britania e Madhe ka bërë një hap të madh në luftën kundër koronavirusit duke u bërë shteti i parë në Evropë që e miraton përdorimin e një vaksine kundër sëmundjes së re. Por, kur do të vaksinohen personat e parë me vaksinën e përgatitur nga kompania amerikane “Pfizer” dhe ajo gjermane “BioNTech”?

BBC ka raportuar se me këtë vaksinë së pari do të furnizohen spitalet. Për shkak se vaksina duhet të ruhet në temperaturë shumë të ulët, -70 deri -80 gradë, është vështirë që ajo të mbahet në vende të zakonshme.

Sidoqoftë, spitalet kanë pajisje për ruajte të tillë të produkteve mjekësore dhe janë përgatitur për këtë gjë, shkruan BBC, transmeton Gazeta Express.

Prandaj, duket shumë e mundshme që stafi i sektorit shëndetësor dhe disa pacientë do të fillojnë të vaksinohen që nga java e ardhshme.

Vaksina prodhohet dhe rezervat e saj ruhen në Belgjikë, prandaj ajo duhet të transportohet në Britani të Madhe. Pritet që ky proces të zgjasë disa ditë. Nuk është e qartë se sa doza do të jenë në dispozicion javën e ardhshme, por pritet që shifra nuk do të jetë shumë e lartë për fillim.

Mediet janë duke pritur më shumë të dhëna nga qeveria në Londër për më shumë hollësi rreth arritjes së vaksinës.

(Kosova Sot Online)