Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia tërheq vërejtjen deputetit të LVV-së: Përmbajuni rregullave!

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 10:52
Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese ia tërheq vërejtjen deputetit të LVV-së: Përmbajuni rregullave!

Gjykata Kushtetuese po mban seancë ‘online’ me palët lidhur me ligjshmërinë e deputetit Etem Arifi, ndërsa pak minuta nga nisja e saj, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arban Abrashi ka dalë prej saj.

Kryetarja e Kushtetueses, Arta Rama-Hajrizi e ka ndërprerë Artan Muratin, këshilltarin e kryeparlamentares Vjosa Osmani që ishte duke argumentuar, për t’ia tërhequr vërejtjen deputetit të LVV-së, Artan Abrashi i cili e ndali përkohësisht kamerën.

“Në fillim i përmenda cilat janë rregullat dhe kërkesat e gjykatës dhe kërkova që gjatë gjithë kohës t’i mbani kamerat lëshut. E kisha lutur z. Abrashi që të kthehet në seancë si pjesmarrës dhe ta vendos videon e tij vazhdimisht. Duhet të gjithë t’u përmbahemi rregullave që i vendos gjykata”, tha kryegjykatësja.

Pas kësaj vërejtje, deputeti i LVV-së, Artan Abrashi është kthyer në seancë përmes videos.

Si përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë seancë janë deputeti Artan Abrashi dhe anëtari i këtij subjekti politik, Blerim Salla.

Në anën tjetër, Qeveria po përfaqësohet nga avokati Besnik Berisha. Pos Berishës në Qeveri, LDK-ja me nuk po merr pjesë si palë në këtë proces me një përfaqësues të subjektit.

Kreu i Komisionit për Legjislacion, Shkëmb Manaj po ashtu po merr pjesë në këtë seancë në cilësinë e kryetarit të komisionit parlamentar për legjislacion.

Nga Kuvendi i Kosovës, si përfaqësues i Zyrës së Kryeparlamentares Vjosa Osmani po merr pjesë këshilltari ligjor i saj, Artan Murati. 

(Kosova Sot Online)