Lutfi Haziri: Humbja e një komune nuk duhet të merret si humbje e dekadës

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 10:54
Lutfi Haziri: Humbja e një komune nuk duhet të merret si humbje e dekadës

Personi i dytë më i rëndësishëm në Lidhjen Demokratike të Kosovës, Lutfi Haziri, pas vizitës së partisë së tij tek varri i ish-presidentit të ndjerë, Ibrahim Rugova, ka marrë fjalën ku, ndër të tjera, ka folur edhe për humbjen në komunën e Podujevës.

Ai ka thënë se fitimi i komunës së Podujevës nuk duhet të përceptohet nga partia fituese (LVV) as si fitore e dekadës, e as nga LDK si humbje e dekadës.

“Një komunë nuk duhet të merret as si sukses i dekadës, as si humbja e dekadës. Është mësim i mirë për t’u nxjerrë, për t’u përgatitur në procese të mëdha”, ka deklaruar ai.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, tutje, ka folur edhe me filozofinë rugoviane, duke e sqaruar një koncept të tillë.

“Filozofia e Rugovës duhet kuptuar nga të gjithë ato vlerat që LDK i bart. Ne nuk jemi fanatik politik, as nuk jemi militant politik. P.sh rugovizëm është kur një sukses të bën më të përgjegjshëm sesa arrogant, sikurse shohim në partitë e tjera”, ka thënë ai.

“Ta zhvillojmë demokracinë që është shtyllë, e cila për Ibrahim Rugovën dhe LDK’në, është e vlefshme për pavarësinë e Kosovës. LDK’ja do të ecë pa u ndalë, sepse është parti që nuk ka as zgjidhje as zgjedhje pa të. LDK ka qenë themelues të Republikës së Kosovës, kjo e fundit është kompromis i kohës për të zgjidhur të drejtat në Ballkan. Ne kemi ditur të ecim prapa Rugovës. Por, sot e asaj dite, ne kemi dhimbje nga humbja e presidentit Rugova”. 

(Kosova Sot Online)