Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 26 plakave, i kishte ngulfatur me kabllo

  • e. /
  • 02 December 2020 - 11:57
Arrestohet i dyshuari për vrasjen e 26 plakave, i kishte ngulfatur me kabllo

Hetuesit dhe policia ruse kanë arrestuar një person që dyshohet për plaçkitjen dhe vrasjen e 26 grave të moshuara në pjesë të ndryshme të vendit në vitet 2011 dhe 2012.

Personi i dyshuar, i identifikuar si Radik Tagirov, 38 vjeç, është mjeshtër i çelësave dhe ka të kaluar kriminale për vjedhje, njoftoi policia.

Ai dyshohet se është i njohur edhe me nofkën “maniak i Vollgës”, që lidhet me krime dhe vrasje të shumta të kryera përgjatë ultësirës së Lumit Vollga, që rrjedh në perëndim të Rusisë.

Të martën, autoritetet thanë se i dyshuari është duke u marrë në pyetje dhe është duke ofruar të dhëna ndaj kërkesave të tyre. Sidoqoftë, ai personalisht dhe askush në emër të tij nuk kanë dhënë ndonjë deklaratë publike.

Komiteti Hetues i Rusisë, që ka rol të ngjashëm me FBI-në amerikane, tha në një deklaratë se arrestimi i Tagirovit është rezultat i hulumtimit të forenzikës dhe analizave biologjike, të cilat tregojnë se aktet kriminale kundër viktimave janë kryer nga një person, shkruan BBC.

Dyshohet se personi i arrestuar siguronte qasje në shtëpitë e viktimave duke u paraqitur si punëtor i mirëmbajtjes para se të përdorte kabllo të rrymës dhe lidhëse të rrobave për t’i ngulfatur gratë.

Vitin e kaluar, policia ruse kishte ofruar shpërblim prej tre milionë rublave (rreth 33 mijë euro) për ata që do të ofronin informacione për arrestimin e këtij personi. Ai ka qenë në kërkim nga policia që disa vjet.

(Kosova Sot Online)