Kryegjykatësja e Kushtetueses e merr në pyetje përfaqësuesin e LVV-së në seancën dëgjimore

  • E.K /
  • 02 December 2020 - 12:22
Kryegjykatësja e Kushtetueses e merr në pyetje përfaqësuesin e LVV-së në seancën dëgjimore

Kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Arta Rama-Hajrizaj ia ka parashtruar dy pyetje përfaqësuesit të Lëvizjes Vetëvendosje, Blerim Sallahut, në seancën dëgjimore lidhur me ligjshmërinë e votës së deputetit Etem Arifi në ditën e votimit të Qeverisë Hoti.

Rama-Hajrizaj e ka pyetur Sallahur për mandatin e deputetit Arifi dhe për njoftimin e marrë lidhur me këtë dënim.

“A konsideroni ju se cenohet siguria juridike dhe integriteti kushtetues i Kuvendit nëse përcaktues për për të vendosur se një deputet e ka humbur mandatin merret njoftimi i Këshillit Gjyqësor për Kuvendin se një deputet është dënuar për vepër penale”, ka pyetur kryetarja e GJK-së.

“Nëse Kuvendi nuk do të kërkonte informatë lidhur me dënimin e deputetit në fjalë apo nëse KGJK-ja nuk e njofton Kuvendin vetëvetiu që një deputet është dënuar për një vepër penale, a nënkupton kjo për ju që mandati i deputetit është i vlefshëm për t’u ushtruar”, ka qenë pyetja tjetër e kryetares së Kushtetueses.

Në përgjigjje, përfaqësuesi i LVV-së ka thënë se në momentin që është votuar Qeveria me votë të deputetit Arifi, ai vendim është kundërkushtetues.

“Në momentin që kemi marrë informacion prej Kuvendit, për ne në atë moment ka filluar prodhimi i pasojave të marrjes së mandatit të z.Arifi. Në momentin që deputeti tashmë i dënuar e ushtron mandatin e caktuar, ai e shkel interesin publik. Pesha e interesit publik i mbivendoset sigurisë juridike”, ka thënë Sallahu.

Ndërkaq për pyetjen e dytë, Sallahu tha se nuk kanë pasur mundësi të informohen ndryshe se Arifi është i dënuar.

“Nëse ne nuk kemi asnjë informacion për këtë, për ne ka qenë e pamundur me ditë, sepse Kvuendi nuk ka mekanizëm që i verifikon se një deputet a është i dënuar apo jo”, ka thënë Sallahu.

(Kosova Sot Online)