Pas votimit të Projektligjit për rimëkëmbje, gastronomët kërkojnë të prioritizohen në aspektin financiar

  • A.P /
  • 02 December 2020 - 22:44
Pas votimit të Projektligjit për rimëkëmbje, gastronomët kërkojnë të prioritizohen në aspektin financiar

Shoqata e Gastronomëve të Kosovës ka kërkuar nga Qeveria që sektori i gastronomisë të prioritizohet në kuptim të mbështetjes financiare, pas votimit të Projektligjit për rimëkëmbje.

Shoqata thotë se mjetet që pritet të destinohen për sektorin privat nga ky Projektligj në vlerë prej 200 milionë euro, duhet të ndahen në proporcion me dëmet që janë shkaktuar nga pandemia dhe masat e qeverisë në secilën industri përkatëse, e jo qasje të njëjtë për të gjithë sektorët.

Gastronomët thonë se sektori i tyre është më i godituri në vend.

“Të ardhurat dhe qarkullimi i sektorit të gastronomisë në krahasim me vitin 2019 dhe 2020, vetëm në tremujorin e dytë (TM2), rezultojnë të kenë pasur rënie prej 64%, si asnjë sektor tjetër në Kosovë. Nga dy sondazhe të bizneseve dhe punëtorëve të raportit hulumtues të ndikimit të pandemisë në gastronomi të përgatitur nga SHGK dhe Korb Marketing&Research, 88% e bizneseve deri në tetor të këtij viti, kanë pësuar humbje të thellë, dhe 12% prej tyre janë në rentabilitet. Nga këto të fundit, vetëm 2% e bizneseve do të mund të mbijetojnë nëse nuk marrin ndihmë nga Qeveria, ndërsa 10% prej tyre do të falimentojnë”, thuhet në njoftim.

Sipas këtij hulumtimi, gastronomet thonë se nga ndikimi i pandemisë dhe masave të qeverisë në tregun e punës, janë të raportuara që 36% e bizneseve të gastronomisë janë detyruar që të largojnë nga puna punëtorët e tyre si pasojë e zvogëlimit të vëllimit të ushtrimit të veprimtarisë dhe problemeve të likuiditetit, apo rreth 10,000 punëtorë të larguar nga puna.

“Nëse kjo atmosferë e shkaktuar ekonomike vazhdon edhe më tutje, bizneset nuk do të mund t’i mbijetojnë kësaj situate, dhe 56% e tyre kanë raportuar që do të largojnë edhe më shumë staf nga puna, që i bie të kontribuojë në 5.5% rritje të shkallës së papunësisë në Kosovë apo 9,950 punëtorë të tjerë”, thuhet tutje në njoftim.

(Kosova Sot Online)