Publikohet aktgjykimi i plotë, Apeli arsyeton përgjysmimin e dënimit për Darko Tasiqin

  • G.G /
  • 03 December 2020 - 13:08
Publikohet aktgjykimi i plotë, Apeli arsyeton përgjysmimin e dënimit për Darko Tasiqin

Gjykata e Apelit ka reaguar pas protestës që është bërë para objektit të kësaj gjykate, lidhur me zbutjen e dënimit për të akuzuarin për krime lufte, Darko Tasiq.

Përmes një komunikate drejtuar mediave, Apeli ka bërë me dije se Tasiq ngarkohej nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale Krime lufte kundër popullatës civile.

“Vepra e parë të akuzuarin e ngarkonte për plaçkitjen e sendeve të luajtshme. Vepra e dytë e ngarkonte për përdhosjen e kufomave që kategorizohet si veprim kundër dinjitetit njerëzor, e cila kategorizohet vetëm si veprim në protokollin 2 të Konventës së Gjenevës, por nuk parashihet si vepër e veçantë në kuadër të nenit 142 të LPJ, prandaj nuk mund të qëndroj si vepër e veçantë”, thuhet në komunikatë.

Sipas Apelit, prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të.

“Është më rendësi të dihet se dënimi maksimal i paraparë me ligj është 20 vite, sipas ligjit penal të Jugosllavisë, ngase ai ligj ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe si i tillë edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet zbatuar ai ligj se është më i favorshëm për të akuzuarin.

Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar dënim përtej maksimumit të dënimit të paraparë me ligj, ndërsa në anën tjetër prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të”, thuhet në komunikatën e Apelit.

Ndryshe, familjarët e viktimave të Tasiqit sot kanë protestuar në Prishtinë pas vendimit të Gjykatës së Apelit për përgjysmimin e dënimit prej 22 vitesh ndaj kriminelit serb Darko Tasiq.

Të irrituar nga ky vendim krushjanët protestuan para Pallatit të Drejtësisë në shenjë revolte ndaj këtij vendimi.

Shpresa Shehu, përfaqësuese e fshatit Krushë e Vogël ka thënë se janë tejet të shqetësuar me këtë vendim. Por ajo u shpreh edhe e indinjuar me injorimin e përfaqësuesve të Gjykatës, pasi nga ajo nuk doli askush para familjarëve të flas për këtë rast.

“Prej tyre i kemi të pagjetur 68 persona, ende nuk e dimë ku janë eshtrat e 68 personave. 21 vite ne po presim për me i varros e zhvarros . Ne kemi ardhur sot të kërkojmë drejtësinë, por nuk janë në gjendje të vijnë para familjarëve t’i thotë dy tri fjalë dikush, kjo është edhe një padrejtësi ndaj nesh”, tha ajo.

Shehu tha se Tasiq ka qenë krimineli i vetëm që është dënuar në rastin e Krushës, por edhe atij i’u përgjysmua dënimi.

“Me të vërtet krimineli ka pasur dënimi edhe jo të mjaftueshëm me sa krimet i ka bërë në fshatin tonë e fshatrat përreth. Edhe tash nuk janë në gjendje t’i thonë dy tri fjalë kryetari i Gjykatës apo ndonjë përfaqësues tjetër. Ky është i vetmi kriminel që është dënuar në rastin e Krushës, edhe sa të tjerë janë, por edhe këtij i’a përgjysmuan dënimin”, tha ajo.

Komunikata e plotë:

Prishtinë, 03.12.2020 – Gjykata e Apelit ka përcjellë më vëmendje reagimet dhe shqetësimet që kanë ardhur pas publikimit të vendimit të kësaj gjykate,  lidhur më rastin e të akuzuarit për krime lufte D.T.

Duke parë kritikat e shumta dhe paqartësitë e krijuara rreth këtij rasti, e me qëllim të informimit të drejtë të opinionit publik, kjo gjykatë e ndjen të nevojshme të jap këtë sqarim:

I akuzuari D.T. ngarkohej nga Prokuroria Speciale për dy vepra penale Krime lufte kundër popullatës civile nga neni 142 i Ligjit Penal të Jugosllavisë (LPJ) dhe Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK), neni 152.

Vepra e parë të akuzuarin e ngarkonte për plaçkitjen e sendeve të luajtshme. Vepra e dytë e ngarkonte për përdhosjen e kufomave që kategorizohet si veprim kundër dinjitetit njerëzor, e cila kategorizohet vetëm si veprim në protokollin 2 të Konventës së Gjenevës, por nuk parashihet si vepër e veçantë në kuadër të nenit 142 të LPJ, prandaj nuk mund të qëndroj si vepër e veçantë.

Është më rendësi të dihet se dënimi maksimal i paraparë me ligj është 20 vite, sipas ligjit penal të Jugosllavisë, ngase ai ligj ishte në fuqi në kohën e kryerjes së veprës penale, dhe si i tillë edhe sipas Kushtetutës së Kosovës, duhet zbatuar ai ligj se është më i favorshëm për të akuzuarin.

Në rastin konkret gjykata e shkallës së parë kishte shqiptuar dënim përtej maksimumit të dënimit të paraparë me ligj, ndërsa në anën tjetër prokuroria nuk ka të drejtë as kushtetuese e as ligjore që të ngarkojë dikë me akuzë sipas ligjit më të pafavorshëm për të.

Po ashtu është obligim ligjor që gjatë matjes se dënimit, gjykata duhet të ketë parasysh minimumin dhe maksimumin e dënimit të paraparë për atë vepër penale, pastaj duhet të merr parasysh qëllimin e dënimit, parimet e përcaktuara në kod si dhe rrethanat lehtësuese dhe rënduese në raport me veprën penale dhe të akuzuarin. Theksojmë se i akuzuari D.T. nuk ishte i ngarkuar as për vrasje, as për rrahje apo çfarëdo torture ndaj popullsisë civile, ashtu sikur mund të flitet, por vetëm për veprat që u theksuan më lartë.

Gjykata e Apelit, mirëkupton gjykimin kritik të pales së demtuar, por  kujton se është për të bërë drejtësi, në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës, pa dallime kombëtare, racore, etnike a fetare dhe larg çfarëdo paragjykimi.

https://apeli.gjyqesori-rks.org/wp-content/uploads/verdicts/AP_APS_37_2020_SQ.pdf

(Kosova Sot Online)