Autokrati Orban këmbëngul në bllokimin e buxhetit të BE-së, lë shtetet pa fonde të rimëkëmbjes

  • E.K /
  • 04 December 2020 - 09:38
Autokrati Orban këmbëngul në bllokimin e buxhetit të BE-së, lë shtetet pa fonde të rimëkëmbjes

Kryeministri autokrat i Hungarisë, Viktor Orban, ka thënë se vendi i tij ende nuk mund ta pranojë kushtin që buxheti i BE-së dhe fondet për rimëkëmbje të jenë të lidhura me respektimin e sundimit të ligjit.

Ai shtoi se një deklaratë sqaruese që i është bashkëngjitur rregullave, që nxiti një zyrtar të lartë polak të thotë se Polonia tashmë mund ta pranojë pakon, është e papranueshme për Budapestin.

“Për ne, kjo zgjidhje, bashkëngjitja e një deklarate si përkujtim në një letër ngjitëse të vendosur në një copë letre, nuk do të funksiojë. Hungaria këmbëngul se këto dy gjëra duhet të jenë të ndara”, tha ai për radiostacionin publik.

Hungaria dhe Polonia i kanë bllokuar buxhetin e BE-së për shtatë vitet e ardhshme dhe fondet për zhvillim pas krizës së pandemisë për disa javë, duke pamundësuar që 1.85 trilion euro të shpërndahen për vendet anëtare, të cilat kanë shumë nevojë për ndihmë në kohën e krizës.

Budapesti dhe Varshava, të cilat për një kohë të gjatë janë kritikuar për cenim të standardeve të demokracisë, janë marrë vesh që të votojnë së bashku kundër ndërlidhjes së sundimit të ligjit me buxhetin dhe fondet e BE-së, shkruan Reuters.

Orbani tha se nuk ka nevojë për ngut që të arrihet marrëveshje për buxhetin e BE-së këtë vit, duke shtuar se nëse BE-ja s’ka marrëveshje deri në janar, një gjë të tillë do ta arrijë më vonë.

(Kosova Sot Online)