Shefi i inteligjencës amerikane: Kina, kërcënimi më i madh për lirinë dhe demokracinë

  • E.K /
  • 04 December 2020 - 09:55
Shefi i inteligjencës amerikane: Kina, kërcënimi më i madh për lirinë dhe demokracinë

Zyrtari më i lartë për inteligjencë i Shteteve të Bashkuara ka thënë se Kina është kërcënimi më i madh për lirinë dhe demokracinë që nga Lufta e Dytë Botërore.

Përmes një shkrimi në gazetën “The Wall Street Journal”, Ratcliffe tha se Kina është duke e rritur fuqinë e vet duke i vjedhur sekretet e Shteteve të Bashkuara dhe më pas duke i zëvendësuar në treg kompanitë amerikane.

Administrata e Trumpit ka mbajtur qëndrim të ashpër kundër Kinës, duke vendosur taksa ndaj mallrave kineze dhe duke e akuzuar Pekinin për vjedhje të pronës intelektuale, shkruan BBC.

Në anën tjetër, Kina ka reaguar ashpër kundër taksave amerikane dhe përpjekjeve të Shteteve të Bashkuara për ta mbajtur jashtë tregut amerikan gjigantin kinez të telekomunikimit, “Huawei”.

Ratcliffe në shkrimin e tij paralajmëroi se Pekini është duke u përgatitur për konfrontim me Shtetet e Bashkuara dhe ka për qëllim që të mbizotërojë në botë me ekonomi, ushtri dhe teknologji.

Komentet e drejtorit të Inteligjencës Kombëtare erdhën në kohën kur Kina e ka shtuar presionin ndaj aleates së Shteteve të Bashkuara, Australisë, duke kërkuar nga ky shtet që ta ndryshojë sjelljen dhe duke vendosur taksa të larta ndaj verës australiane.

Ratcliffe tha se Kina tashmë është fokusi kryesor i aktiviteteve amerikane të inteligjencës, ndërsa më herët fokusi ka qenë te Rusia dhe lufta kundër terrorizmit.

(Kosova Sot Online)