Nëse votohet ligji, kur dhe sa para mund t’i marrësh nga Trusti

  • G.G /
  • 04 December 2020 - 10:52
Nëse votohet ligji, kur dhe sa para mund t’i marrësh nga Trusti

Tetë muaj nga fillimi i pandemisë, Kosova për dallim nga shumë vende të rajonit, të cilat kanë aprovuar mbi tre Pako të rimëkëmbjes, vendi ynë duket se më në fund do të ketë pakon e parë .

Me propozimin e Qeverisë së Kosovës, që të ndihmohen bizneset që kanë pësuar humbje nga pandemia e shkaktuar nga koronavirusi, Kuvendi i Kosovës pritet që ta miratoj sot Projektligjin për rimëkëmbje ekonomike.

Kjo seancë vjen pas pajtimit të Qeverisë Hoti me kërkesat e Partisë Demokratike të Kosovës lidhur me këtë Projektligj.

PDK për ta votuar këtë Projektligj ka kërkuar që të përfshihen edhe amendamentet e saj.

Qëllimi i këtij Projektligji është plotësimi dhe ndryshimi i disa ligjeve, me qëllim të rimëkëmbjes së ekonomisë së Republikës së Kosovës, pas efekteve negative të shkaktuara nga pandemia COVID -19.

Në këtë Projektligji, thuhet se “Fondi Kreditor Garantues i Kosovës, (FKGK) autorizohet të lëshojë garanci kreditore me përqindje të mbulesës nga 50 deri në 80 për qind”.

Fondi Kosovar për Garanci Kreditore është institucion i pavarur dhe i qëndrueshëm, që lëshon garanci institucioneve financiare për të mbuluar rrezikun për kreditë e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme.

Gjithashtu, kontributpaguesit mund t’i tërheqin 10 për qind të kursimeve pensionale në Fondin e Kursimeve Pensionale të Kosovës.

Por, mundësia e tërheqjes së 10 përqindëshit nga Trusti, ndryshoi nga propozimi paraprak pas kushtit të PDK-së për të dhënë votën pro.

Pas ndryshimit, në rast të votimit të gjithë qytetarët që kanë kontribuar në Trustin Pensional të Kosovës deri në shumën 10 mijë euro, në rast të tërheqjes së shumës 10 % (dhjetë për qind) nga ana e tyre, Qeveria e Kosovës do ta kompensoj tek TRUST-i brenda pesë viteve të ardhshme në mënyrë që ata qytetarë t’i kenë mjetet e tyre për moshën e pleqërisë.

Por si do të jetë forma e aplikimit për tërheqjen e 10 përqind të të hyrave nga Trusti?

Nga Ministria e Financave ditë më parë kanë njoftuar se aplikimi do të bëhet në formë online, dhe krejt çfarë duhet është numri identifikues i letërnjoftimit, dhe numri i xhirollogarisë.

Aplikimi fillon dy javë pas votimit të Ligjit për Rimkëmbje, pjesë e së cilës eshtë edhe tërheqja e 10 përqindshit, dhe parat dalin në llogaritë bankare deri në katër muaj pas aplikimit.

Si ta shohësh sa para ke në TRUST?

Mjafton që të regjistroheni në sajtin e këtij institucioni, t’i jepni të dhënat e kërkuara dhe brenda 24-orësh, do t’ju jepet qasja në llogarinë tuaj të kursimeve.

Klikoni në këtë link ( https://online.trusti.org/ ) sapo të hapet faqja, klikoni tek kolona “Dua të regjistrohem për llogari në eTrust” dhe pastaj jepni të dhënat e kërkuara, si dhe ngarkoni një kopje të letërnjoftimit, e fotografuar në të dy anët.

Pasi ta keni kryer këtë procedurë, dhe të shtypni në fund butonin “Dërgo”, Trusti ua dërgon një email, në të cilin ndodhet një link ku duhet të klikoni.

Pas kësaj, brenda 24- orësh Trusti do t’ju jap qasje në llogari përmes një njoftimi përmes e-mailit dhe mandej mund të shihni sa para ju janë grumbulluar dhe sa para mudn të tërhiqni nëse vendoset nga institucionet.

Ndryshe, Ligjit fillestar për rimëkëmbje, përveq ndryshimeve në tërheqjen e 10 përqindshit nga Trusti, iu bashkuan edhe disa kushte të tjera nga Partia Demokratike e Kosovës.

Amendamentet e propozuara janë:

Të themelohet një fond i veçantë, i cili do të shërbejë për t’i paguar të gjithë të punësuarit në sektorin privat, që kanë humbur vendet e tyre të punës si pasojë e pandemisë së coronavirusit. Pra, të gjithë punëtorët e sektorit privat të regjistruar si të pa punë, e që kanë qenë në marrëdhënie pune deri në Shtator 2020, por që nga muaji tetor 2020 janë liruar nga punëdhënësi si pasojë e ndikimit të COVID -19, do të paguhen nga ana e Qeverisë së paku tre deri në katër muaj përkatës me nga 300 euro në muaj.

Të themelohet granti në shumë prej 200 milionë euro, për ndihmë direkte financiare bizneseve të cilat kanë vështirësi të funksionimit si rezultat i ndikimit të COVID-19. Këto mjete të grantit do t’i shpërndahen të gjitha bizneseve sipas kritereve dhe kushteve të caktuara nga ana e një Komisionit të posaçëm i cili do të themelohet ekskluzivisht për këtë çështje nga ana e Qeverisë së Kosovës, të cilat dëshmojnë se e kanë të vështirë zhvillimin e afarizmit si pasojë e ndikimit të COVID -19.

Qeveria e Kosovës duhet të liroj nga TVSH-ja lëndën e parë e cila prodhohet nga bizneset kosovare, pavarësisht a eksportohet jashtë vendit apo jo.

Ndryshe, Projektligji në lexim të parë është miratuar pas gjashtë tentativave, ndërsa deri tani ka dështuar dy herë të miratohet në lexim të dytë.

Kujtojmë se, me anë të këtij Projektligji parashihet zbatimin e Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike në vlerë prej 365 milionë euro.

(Kosova Sot Online)