E zbulon ish-agjenti i SHIK-ut: Çfarë lidhje ka rasti ‘Medicus’ me ‘Shtëpinë e verdhë’?

  • G.G /
  • 05 December 2020 - 13:10
E zbulon ish-agjenti i SHIK-ut: Çfarë lidhje ka rasti ‘Medicus’ me ‘Shtëpinë e verdhë’?

Ish-eprori i lartë i UÇK-së dhe ish-agjenti i SHIK-ut, Naim Miftari ka folur për raportin e Dick Martyt që rezultoi pastaj me themelimin e Gjykatës Speciale.

Miftari përmes një postimi në Facebook, thotë se rasti Medicus, i parapriu këtij raporti.

Sipas tij, mos të ishte afera Medicus nuk do të ishte miratuar kurrë raporti i Martyt.

“Raporti i Dick Martyt dhe Gjykata Speciale kanë emër ajo është lakmia për pare e disave në Kosovë!”, shkruan ai.

“Mos me pa qenë afera MEDIKUS ku disa zyrtar por edhe deputet të PDK ishin këmbë e krye të implikuam në këtë aferë monstruoze në tregti me organe, kurrë ama bash kurrë nuk ishte miratuar raporti i rrem i Dick Martyt as që ishte përmend najherë më shtëpia e Verdh!”, shkruan Miftari në Facebook.

Por, çfarë ishte ky rasti Medicus?

Në Kliniken Medicus, sipas Prokurorisë është kryer trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar.

Pronari i Medicus, Lutfi Dervishi u dënua me burg dhe një gjobë prej 8 mijë euro, ndërsa me një vit u dënua Sokol Hajdini.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Më parë Dervishi për këtë vepër penale ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

Kurse, Gjykata Themelore në aktgjykimin për rastin ‘Medicus’ gjeti se i akuzuari Lutfi Dervishi është fajtor për veprat për të cilat ngarkohej.

“Është provuar se Lutfi Dervishi, si pronar i klinikës Medicus dhe përmes pjesëmarrjes së tij personale në disa operacione të transplantimit duke, ditur se klinika Medicus nuk ka poseduar leje për ndërhyrje të transplantimit dhe duke ditur se transplantimi ka qenë i ndaluar në bashkëpunim me persona të tjerë me mjete të mashtrimit dhe keqpërdorimit të pozitës së ndjeshme ka rekrutuar së paku 7 persona, ka strehuar dhe operuar ata në klinikën Medicus me qëllim të shfytëzimit dhe marrjes së veshkave dhe i ka transplantuar ato organe te personat pranues”, tha kryetarja e trupit gjykues gjatë arsyetimit të aktgjykimit.

“Është provuar përtej dyshimit të arsyeshëm se Dervishi si një anëtar i një organizate kriminale ndërkombëtare e cila ka funksionuar si një grup i strukturuar që nga data 2 janar 2008 deri në nëntor 2008, në rolin e tij si pronar dhe menaxher në klinikën “Medicus”si kirurg dhe ndihmës kirurg në disa prej operacioneve te transplantit së bashku me persona të tjere të njohur dhe të pa njohur nga Turqia Izraeli dhe Ukraina ka kryer veprën penale trafikim me njerëz”, tha ajo.

“Kanë organizuar transportin e tyre nga vende të ndryshme e pastaj së bashku me persona të tjerë nga Kosova dhe jashtë vendit kanë bërë transplante në klinikën “Medicus” dhe në mënyrë direkte dhe indirekte kanë përfituar të mira financiare”, shtoi gjykatësja.

Kurse, i akuzuari Lutfi Dervishi, ka thënë se transplantimi i veshkës është vepër humane, e jo vepër penale, pasi që sipas tij në tërë botën bëhen me mijëra transplantime, por askush nuk ndiqet penalisht për këtë gjë.

Gjatë dhënies së mbrojtjes Lutfi Dervishi kishte deklaruar se klinika “Medicus” kishte pasur leje për transplantim të veshkave dhe se sipas dijenisë së tij vetëm një operacion ishte kryer në këtë klinikë, në të cilin ka deklaruar se kishte marrë pjesë edhe ai.

Edhe Sokol Hajdini e ka mohuar akuzën në drejtim të tij, duke deklaruar se ai asnjëherë gjatë punës së tij nuk ka rënë ndesh me ligjin dhe se asnjëherë nuk ka punuar që të i shkaktoj lëndime trupore ndokujt.

Lutfi Dervishi që ishte pronar i Klinikës “Medicus” në të cilën nga Prokuroria po pretendohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet.

(Kosova Sot Online)