Greqia ua ndalon hyrjen personave që rezultojnë pozitivë me koronavirus

  • E.K /
  • 05 dhjetor 2020 - 16:06
Greqia ua ndalon hyrjen personave që rezultojnë pozitivë me koronavirus

Greqia do t’ia ndalojë hyrjen në territorin e saj secilit person që del pozitiv në testin për koronavirus në pikat kufitare të saj, njoftoi një zyrtar grek të premten.

Zëvendësministri për Mbrojtje Civile, Nikos Hardalias, gjithashtu tha në një konferencë për gazetarë se asnjë shtetas i huaj nuk do të lejohet të hyjë në komunitetin e murgjëve në Malin Athos, që ndodhet në pjesën veriore të Greqisë.

Sipas njoftimit zyrtar, të dyja këto masa do të hyjnë në fuqi të hënën e javës së ardhshme nga ora 6 e mëngjesit, shkruan Anadolu.

Rajonet që ende kanë shkallë alarmante të infeksioneve janë Drama, Imathia, Florina, Pella dhe Pierua, tha ky zyrtar. Të gjitha këto rajone ndodhen në pjesën veriore të Greqisë.

Të premten, Greqia regjistroi 98 të vdekur për 24 orë dhe numri i përgjithshëm i viktimave shkoi në 2.804. Përpos të vdekurve, gjatë kësaj periudhe u regjistruan edhe mbi 1.600 raste të reja, rreth 200 më pak se të enjten.

Qeveria greke ka vendosur masa të izolimit mbarëkombëtar që nga 8 nëntori. Ato fillimisht ishte planifikuar të largohen më 30 nëntor, por rritja e numrit të infektimeve dhe viktimave bëri që afati i masave të shtyhet së paku deri më 14 dhjetor.

(Kosova Sot Online)