68 të vdekur brenda kësaj jave nga COVID-19 në Kosovë

  • A.P /
  • 06 December 2020 - 08:39
68 të vdekur brenda kësaj jave nga COVID-19 në Kosovë

Vala e dytë e koronavirusit ka prekur edhe vendin tonë, madje në këtë javë është shënuar numër rekord i të vdekurve si pasojë e këtij virusi. Vetëm ditën e mërkurë u konfirmuan 22 raste të vdekjes.

Nga dita e hënë e deri dje, në spitalet e Kosovës kanë ndërruar jetë 68 persona të infektuar me COVID-19.

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se numri total i rasteve pozitive është 42.337 raste nga 151.363 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2. Ndërsa numri total i të vdekurve ka arritur në 1.087 raste.

Gjatë 24 orëve të fundit, janë shëruar 678 pacientë derisa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 27.821 raste, kurse numri i rasteve aktive është 13.429.

Si rëndom, për nga numri i rasteve pozitive me COVID-19 prin Prishtina, vetëm dje janë konfirmuar edhe 198 raste të reja në kryeqytet.

IKSHPK, vijon apelin e përditshëm te qytetarët për respektimin e masave kundër përhapjes së koronavirusit.

“Mbuloni gojën dhe hundën me maskë! Mbani higjienën! Respektoni distancën!”, është thirrja e përditshme e IKSHPK-së.

Ndërkohë, personave dhe bizneseve që nuk respektojnë këto masa, policia dhe inspektorët u shqiptojnë gjoba.

(Kosova Sot Online)