Serwer: Dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke, Kosova mund ta zëvendësojë Thaçin

  • E.K /
  • 07 December 2020 - 10:38
Serwer: Dialogu bëhet vetëm për njohje reciproke, Kosova mund ta zëvendësojë Thaçin

Vazhdimi i dialogut Kosovë-Serbi është paralajmëruar për 10 dhjetor, dhe profesori në Universitetin Johns Hopkins në Uashington, Daniel Serwer e mirëpret këtë, por sipas tij dy gjëra duhet të jenë të qarta – reciprociteti dhe zbatimi.

“Çfarëdo që të kërkojë Prishtina ose Beogradi, ata duhet të jenë të gatshëm të japin një ekuivalent. Dhe gjithçka që është rënë dakord duhet të zbatohet në një mënyrë të verifikueshme. Duhet gjithashtu të jetë e qartë se dialogu ekziston me një qëllim: të mundësojë njohjen reciproke dhe shkëmbimin e ambasadorëve. Asgjë më pak se kaq është normalizimi i vërtetë”, thotë Serwer.

Serwer beson se Kosova mund t’i zëvendësojë ish-liderët politikë që u transferuan në paraburgimin e Gjykatës Speciale në Hagë si të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Serwer tha se ka shumë njerëz në Kosovë që mund ta kompensojnë mungesën e Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit.

“Sigurisht që ka. Kosova ka shumë njerëz që mund të zëvendësojnë të akuzuarit, të cilët me të drejtë shkuan të mbrohen”, tha Serwer në një intervistë për mediumin serb në Kosovë, “Kosovo Online”.

Ai tutje tha se beson që Qeveria aktuale në Kosovë do të bëjë gjithçka për të mos shkuar në zgjedhje, sepse Serwer parashikon se ata do të humbnin.

“Kosova ka nevojë për një president të ri. Nëse kjo nuk mund të bëhet brenda afatit në parlamentin aktual, do të duhet një parlament i ri, që do të thotë zgjedhje. Por unë pres që koalicioni aktual qeverisës do të bëjë gjithçka për ta shmangur atë, sepse mund të humbasë. Zgjerimi i koalicionit mund të zgjidhë të dy problemet”, tha ai. 

(Kosova Sot Online)