Këshilltari i Kurtit sulmon Ermal Mamaqin për metodat e pasurimit pas hapjes së kursit 40 mijë euro në vit

  • E.K /
  • 07 December 2020 - 15:40
Këshilltari i Kurtit sulmon Ermal Mamaqin për metodat e pasurimit pas hapjes së kursit 40 mijë euro në vit

Këshilltari i Albin Kurtit, Arbër Zaimi, ka kritikuar nismën e aktorit dhe moderatorit, Ermal Mamaqi, i cili ofron kurs për ata që duan të bëhen të sukseshëm, mirëpo të interesuarit duhet të paguajnë një vlerë të majme për të takuar atë por edhe miliardierët e Shqipërisë.

Sipas Zaimit, kursi i Mamaqit u mëson njerëzve aftësi hileqarësh banalë, ndërsa përmend sesi sekserët pasurohen ndërsa prodhuesit e dijes varfërohen.

Postimi i tij i plotë:

Në atdheun tonë shumëkush studion e mbetet i papunë, shumëkush punon nga dy punë dhe prapë mbetet i varfër. Puna e dija nuk shpërblehen.

Shpërblehen “metodat e pasurimit” alla Mamaqi, kurse online për të mësuar aftësi hileqarësh banalë, që janë më të shtrenjta e më ekskluzive se sa shkollat ku ligjërojnë mendjet e ndritura të botës.

Pasurohen sekserët e prodhuesit e lajmeve të rreme, varfërohen prodhuesit e ushqimit dhe dijes.

Kushton më shumë reklama e ambalazhi, se vetë produkti. Paguhet më shumë për pamjen se sa për zërin, këngëtari. Paguhet më shumë për diplomën se sa për performancën, i punësuari. Paguhet më shumë për famë e netëork se krijimtari, artisti. E kështu me radhë. Kjo ekonomi mashtruese nuk mund të vazhdojë gjatë…

(Kosova Sot Online)