Për herë të parë, Joe Biden cakton sekretar të Mbrojtjes një person me ngjyrë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 09:53
Për herë të parë, Joe Biden cakton sekretar të Mbrojtjes një person me ngjyrë

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden, e ka zgjedhur gjeneralin e pensionuar, Lloyd Austin, si sekretar të Mbrojtjes, thanë dy burime të afërta me këtë vendim. Gjenerali Austin ishte komandant i forcave ameriaken në Lindjen e Mesme gjatë mandatit të ish-presidentit Obama.

Nëse konfirmohet në këtë post, ushtaraku Austin do të ishte personi i parë me ngjyrë që shërben si sekretar i Mbrojtjes i Shteteve të Bashkuara. Vendimi i Bidenit ka befasuar shumë njerëz, sepse pritej që në këtë pozitë të caktohej Michele Flournoy, e cila do të ishte gruaja e parë në postin e lartë.

I pensionuar në vitin 2016, Austin do të ketë nevojë për leje nga Kongresi, sepse nuk kanë kaluar ende shtatë vjet nga koha e pensionimit, që kërkohet me ligjin amerikan.

Emërimi i Austinin në postin e sekretarit të Mbrojtjes mund ta nxisë pakënaqësinë e disa grupeve progresive për shkak të rolit të tij në bordet e disa kompanive, përfshirë prodhuesin e armëve “Raytheon Technologies”, shkruan Reuters.

Megjitahtë, Bideni dhe Austini kanë ndërtuar raporte pune gjatë administratës së Obamas dhe gjenerali i pensionuar e ka këshilluar ekipin e tranzicionit për çështjet e sigurisë kombëtare.

Presidenti i ri, i cili do ta fillojë punën në zyrë nga 20 janari, të hënën i publikoi edhe emrat e ekipit të tij për shëndetësi, detyra kryesore e të cilëve do të jetë luftimi i pandemisë.

Prokurori i Përgjithshëm i Kalifornisë, Xavier Becerra, u emërua sekretar i Shëndetësisë dhe Shërbimeve Njerëzore, ndërsa Dr. Rochelle Walensky u zgjodh drejtoreshë e Qendrës për Kontrollimin dhe Parandalimin e Sëmundjeve.

(Kosova Sot Online)