Nuk e bëri Greqia, por këto forca thonë se ia sekuestruan një anije Turqisë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 10:19
Nuk e bëri Greqia, por këto forca thonë se ia sekuestruan një anije Turqisë

Forcat lindore të Libisë kanë thënë se e kanë penguar një anije turke që ishte nisur drejt portit të Misratas në perëndim të këtij shteti. Ky veprim mund të nxisë tensionim të konfliktit disa javë pas marrëveshjes për armëpushim.

Turqia është përkrahësja kryesore e Qeverisë së Akordit Kombëtar në Libi, e cila njihet nga komuniteti ndërkombëtar dhe që e ka bazën në pjesën perëndimore të vendit. Kjo qeveri ka luftuar disa vjet me Ushtrinë Kombëtare Libiane, e cila e kontrollon pjesën lindore të Libisë.

Zëdhënësi i forcave lindore, Ahmed al-Mismari, tha se anija tregtare e mallrave, Mabrouka, kishte 17 anëtarë të ekuipazhit, përfshirë nëntë shtetas turq. Mallrat në këtë anije ende nuk janë inspektuar.

Sipas këtij zëdhënësi, anija turke u ndal afër portit lindor të Dernas, shkruan Reuters.

Një burim turk që foli në kushte anononimiteti tha se anija ishte duke transportuar produkte mjekësore nga Egjipti në Libi dhe pritet të lirohet së shpejti.

“Pacientët që urgjentisht kanë nevojë për ilaçe dhe produkte gjaku që janë në atë anije janë duke pritur në Libi. Është e qartë se nuk ka armë apo ndonjë gjë tjetër. Sekuestrimet e tilla nuk janë të drejta”, tha ky burim.

Burimi turk tha se Ushtria Kombëtare Libiane mund të ketë marrë guxim nga Operacioni Irini i Bashkimit Evropian, i cili merret me zbatimin e embargos së armëve ndaj Libisë. Ky mision muajin e kaluar e kontrolloi një anije turke, duke e nxitur zemërimin e Ankarasë.

Në tetor, palët e konfliktit në Libi nënshkruan një marrëveshje armëpushimi. Kombet e Bashkuara kanë bërë thirrje për dialog politik dhe mbajtje të zgjedhjeve për zgjidhjen e konfliktit të gjatë.

(Kosova Sot Online)