E para që u vaksinua kundër Covid-19 në Britaninë e Madhe/ 90-vjeçarja: E privilegjuar! Dhurata më e mirë, kam qenë e veçuar për…(VIDEO)
Ka nisur sot vaksinimi me vaksinën anti-Covid në Britaninë e Madhe, ku personi i parë që ka marrë injeksionin ishte një 90-vjeçare e quajtur Margaret Keenan. Kësisoj kjo e fundit bëhet personi i parë në botë që merr vaksinën e kompanisë Pfizer/BioNTech.
Në pamjet e publikuara nga mediat britanike ajo shfaqet me një triko blu me mbishkrimin “Gëzuar Krishtlindjet”, ndërsa merr injeksionin në Spitalin Universitar Coventry. Znj. Keenan një ish-ndihmëse në një dyqan bizhuterish, që e ka lënë punën vite më parë, ka një vajzë, një djalë dhe katër nipër e mbesa.
“Ndihem kaq e privilegjuar që jam personi i parë i vaksinuar kundër Covid-19. Është dhurata më e mirë para ditëlindjes që mund të dëshiroja- sepse do të thotë që tanimë mund të kaloj kohë me familjen dhe miqtë e mi në Vitin e Ri, pasi kam qenë e veçuar për pjesën më të madhe të vitit”, shprehet ajo.
I radhës që mori injeksionin ishte një 81-vjeçar që mban emrin e shkrimtarit të madh William Shakespeare. Në një postim në “Twitter” kryeministri Boris Johnson u shpreh: “Sot nisën vaksinimet e para në MB kundër Covid-19-ës. Faleminderit NHS-së (spitalit) tonë, të gjithë shkencëtarëve që punuan kaq fort për ta zhvilluar vaksinën, të gjithë vullnetarëve dhe cilitdo që ka ndjekur rregullat për të mbrojtur të tjerët. Së bashku do ta mposhtim!”, shprehet ai.
(Kosova Sot Online)