Faqja e Spitalit u mbyll pas kritikave për Zemajn dhe Hazirin, reagon nënkryetari i Gjilanit

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 12:02
Faqja e Spitalit u mbyll pas kritikave për Zemajn dhe Hazirin, reagon nënkryetari i Gjilanit

Faqja në Facebook e Spitalit Rajonal të Gjilanit është mbyllur, kjo pasi dje ky spital ka drejtuar kritika ndaj ministrit të Shëndetësisë, Armend Zemaj, dhe kryetarit të Gjilanit, Lutfi Haziri, për mungesë të oksigjenit.

Media  ka kontaktuar me nënkryetarin e Gjilanit, Arbër Ismajli, se a ka pasur komuna ndikim në mbylljen e faqes së spitalit. Ai tha se nuk është në dijeni madje se kush e menaxhon këtë faqe.

“Sa i përket faqës së Facebook-ut, me qenë i sinqert e kam parë dje atë faqe të Facebook-ut. Ju siguroj, ju garantoj dhe me përgjegjësinë më të plotë e them që as nuk e di se kush e menaxhon at faqe dhe as nuk e di se kush e ka jep atë lajm”, tha Ismajli.

Përmes një postimi në faqen zyrtare, Spitali dje ka shkruar se Zemaj po e premton zgjidhjen e këtij problem vetëm sa për selfie dhe konsum ditor, derisa për Haziri thotë se ka rënë në gjumë dimëror.

“Në mungesë të oksigjenit ka pacientë që detyrohen të kërkojnë ndihmë në Prishtinë. Nysret Hajrullahu thotë se ka vështirësi në furnizim me oksigjen. Armend Zemaj vetëm sa për selfije dhe konsum ditor po premton zgjidhjen e këtij problemi. Lutfi Haziri ka ra në gjumë dimëror”, thuhet në postimin e spitalit.

Përveç që postimi është fshirë, faqja e spitalit është mbyllur. Për këtë shkrim nuk ka reaguar asnjëra palë, as kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, dhe as ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj. 

(Kosova Sot Online)