Petar Petkoviq edhe sot në Kosovë, u premton serbëve të ardhme më të mirë

  • E.K /
  • 08 December 2020 - 14:40
Petar Petkoviq edhe sot në Kosovë, u premton serbëve të ardhme më të mirë

Në ditën e dytë të vizitës së tij në veri të Kosovës, drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq ishte në Zubin Potok ku u takua dhe bisedoi me kryetarin e Autoritetit të Përkohshëm, Srdjan Vuloviq, si dhe me drejtoreshën e Qendrës Kulturore “Stari Kolashin”, Andrijana Zhivanoviq.

Petkoviq vizitoi Shtëpinë e Kulturës në Zubin Potok dhe galerinë ku aktualisht është duke u mbajtur një ekspozitë e titulluar “Graçanica në ngjyrat e shekullit të ardhshëm”.

Pas vizitës, Petkovië deklaroi se shteti i Serbisë do të vazhdojë me investime në Kosovë, duke kujtuar se Serbia ka investuar më shumë se 65 milionë dinarë në Shtëpinë e Kulturës në Zubin Potok. 

“Ndër të tjera, përveç dëshirës për të mbijetuar dhe qëndruar këtu në Kosovë dhe Metohi për të ndërtuar të ardhmen tonë, ne duam që njerëzit tanë në komunitetet serbe këtu në Kosovë dhe Metohi të zhvillohen në absolutisht të gjitha sferat e jetës shpirtërore dhe për këtë arsye ne do t’i kushtojmë shumë vëmendje kulturës këtu në Zubin Potok, si dhe në të gjitha komunitetet serbe në Kosovë dhe Metohi”, tha Petkoviq.

Zyra për Kosovë dhe Metohi thotë se që nga viti 2014, 1,512,552,338 dinarë janë investuar në ndërtimin e objekteve në Kosovë për gjithsej 654 njësi banimi brenda 30 ndërtesave të banimit.

Nga kjo, 247.7 milionë janë investuar në Zubin Potok për një total prej 61 njësish strehimi.

Kjo vizitë e Petkoviqit dje shkaktoi debat në vend. Qeveria e Kosovës tha se ka lëshuar leje për vizitën, ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme qëndroi indiferente dhe nuk u përgjigj.

Para mbtëmjes, kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari reagoi duke thënë se nuk ka qenë në dijeni për këtë vizitë. Ai u kërkoi falje qytetarëve për këtë.

(Kosova Sot Online)