Edhe Spitali i Mitrovicës ka mungesë të oksigjenit

  • A.P /
  • 08 December 2020 - 17:18
Edhe Spitali i Mitrovicës ka mungesë të oksigjenit

Derisa numri i rasteve të infektuara me virusin COVID-19 në Kosovë vazhdon të jetë i lartë, institucionet publike shëndetësore në vend janë duke u ballafaquar me mungesë të oksigjenit.

Me mungesë të oksigjenit po ballafaqohet edhe Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar edhe Drejtoresha për Shëndetësi në këtë komunë, Erseka Hasanaj-Barani.

Ajo ka thënë se spitali rajonal dhe kujdesi parësor janë duke u ballafaquar me mungesë të oksigjenit.

Sipas saj, oksigjeni është kërkesë bazë e pacientëve me COVID-19 të cilët janë nën përkujdesje apo të hospitalizuar.

“Problemi është ekzistues me oksigjen në të gjitha komunat. Në bazë të informatave që kam nga drejtori i spitalit, janë në mungese të tij. Natyrisht, edhe kujdesi parësor është duke u ballafaquar me një problem të tillë”, ka thënë ajo.

Hasanaj-Barani ka treguar se si drejtori e Shëndetësisë kanë hyrë në procedura të prokurimit dy herë, por që asnjë kompani nuk ka konkuruar për furnizim me oksigjen.

Derisa kjo komunë po përballet me mungesë të oksigjenit, sipas një raporti të Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës, në Spitalin e Mitrovicës sot janë të shtrirë 32 pacientë, nga të cilët 25 janë të konfirmuar pozitiv me COVID-19 dhe janë me oksigjeno-terapi.

Për mungesë të oksigjenit edhe në spitalet tjera rajonale, sidomos në Spitalin e Gjilanit.

Zyrtarë nga kjo komunë kanë thënë sot për gazetën se qytetarët janë drejtuar në pompa të benzinit për furnizim me oksigjen.

Ndërsa, nga Shërbimi Spital Klinik dhe Universitar i Kosovës, përmes një njoftimi për media është thënë se për shkak të rritjes së numrit të pacientëve, është kërkuar edhe rritja e furnizimit me oksigjen.

Nga këta të fundit e kanë mohuar se ka mungesë të oksigjenit nëpër institucione shëndetësore.

(Kosova Sot Online)