Rusia ua kushtëzon mjekëve vendin e punës me marrjen e vaksinës “Sputnik V”

  • G.G /
  • 09 December 2020 - 10:33
Rusia ua kushtëzon mjekëve vendin e punës me marrjen e vaksinës “Sputnik V”

Mjekët rusë kanë raportuar se mënyra të ndryshme janë duke u përdorur për t’i bindur ata që ta marrin vaksinën “Sputnik V” kundër koronavirusit, pavarësisht faktit që ajo nuk i është nënshtruar testimit masiv.

Anastasia Vasilyeva nga Aleanca e Mjekëve tha se mjekët po kërcënohen me ndëshkime të ndryshme që arrijnë deri në largimin nga puna.

Sipas saj, mjekëve po u thuhet se vaksinimi është urdhër dhe ata po pyeten pse po refuzojnë ta marrin vaksinën.

Pavarësisht mungesës së testimit masiv, autoritetet në Moskë kanë thënë se me vaksinën “Sputnik V” do të vaksinohet stafi i 70 klinikave, shkruan Free Europe.

Autoritetet madje thanë se ka mijëra vullnetarë për ta marrë vaksinën. Një prej tyre është mësuesja Zulfiya Sosnovskaya. Ajo tha se e mori vaksinën për sigurinë e vet dhe të njerëzve që ndodhen afër saj. Fillimisht nuk besoja se kjo sëmundje ekziston, derisa një person afër meje u infektua.

Ndryshe, Rusia disa muaj më parë u bë shteti i parë në botë që miratoi për përdorim një vaksinë kundër koronavirusit. Sidoqoftë, ekspertët ndërkombëtarë kanë hedhur dyshime për efikasitetin e saj për shkak të mungesës së testimit masiv.

(Kosova Sot Online)