Bugajski në Kongresin Amerikan: Nga shkëmbimi i territoreve do të përfitonte vetëm Rusia dhe nacionalistët në rajon

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 11:02
Bugajski në Kongresin Amerikan: Nga shkëmbimi i territoreve do të përfitonte vetëm Rusia dhe nacionalistët në rajon

Janusz Bugajski nga Fondacioni Jamestown thotë se çdo përpjekje për të ndryshuar kufijtë dhe shkëmbimin e territoreve në Ballkanin Perëndimor do të përfitonte vetëm Rusia dhe nacionalistët në rajon.

Ai foli për këtë në Komitetin për Punët e Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit Amerikan dje.

Mbledhja i është kushtuar ofrimit të rekomandimeve administratës së re amerikane mbi politikën që SHBA duhet ta ndjekë ndaj rajonit dhe Serbisë. Bugajski tha se ndryshimi i kufijve dhe shkëmbimi i territoreve do t’ua mundësonte nacionalistëve dhe separatistëve që të kërkojnë shkëputjen e territoreve në vendet e rajonit dhe është shumë e vështirë të imagjinohet se si do të dukej kjo.

“Do të krijohej kaos nga i cili do të përfitonte vetëm Rusia. Dhe nacionalistët. Unë nuk mendoj se kjo është një ide e mirë”, theksoi Bugajski.

Ai tga se trupat e NATO-s nuk duhet të tërhiqen nga Kosova, derisa Kosova të bëhet pjesë e NATO-s, gjë që theksoi se duhet të ndodhë.

Ai gjithashtu shtoi se duhet të punohet për ta distancuar Serbinë nga ndikimi rus dhe theksoi se kjo do të forconte stabilitetin e rajonit. 

(Kosova Sot Online)