Netanyahu thotë se do ta marrë i pari në Izrael vaksinën kundër COVID-19

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 12:24
Netanyahu thotë se do ta marrë i pari në Izrael vaksinën kundër COVID-19

Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka thënë se do të jetë personi i parë që do ta marrë vaksinën e kompanisë “Pfizer” kundër koronavirusit, posa ajo të arrijë në aeroport.

“Unë besoj në këtë vaksinë. Pres që ajo do t’i marrë lejet e duhura ditëve në vijim dhe dëshiroj që të gjithë qytetarët e Izraelit të vaksinohen”, tha kryeministri izraelit.

“Për ta bërë këtë, dua të shërbej si shembull për ta dhe synoj të jem i pari në shtetin e Izraelit që do të vaksinohem me ketë vaksinë”, shtoi ai.

Megjithatë, në kohën kur numri i rasteve po vazhdon të rritet në Izrael, Netanyahu paralajmëroi se pandemia nuk ka përfunduar dhe i nxiti të gjithë që ta respektojnë distancën sociale, shkruan CNN.

“E shohim fundin. Ende kemi nevojë t’i ndjekim rregullat sa u përket maskave, duarve dhe distancës, por fundi është në horizont. Ajo që është më e rëndësishme për mua është që miliona izraelitë do të vaksinohen”, tha Netanyahu.

(Kosova Sot Online)