Duma ruse miraton imunitetin e përjetshëm për ish-presidentët rusë dhe familjarët

  • E.K /
  • 09 December 2020 - 15:31
Duma ruse miraton imunitetin e përjetshëm për ish-presidentët rusë dhe familjarët

Dhoma e Ulët e Kuvendit të Rusisë e ka miratuar në lexim të fundit një projektligj që do të ofrojë imunitet të përjetshëm për ish-presidentët e këtij shteti dhe anëtarët e familjeve të tyre.

Legjislacioni i miratuar nga Duma të mërkurën është pjesë e një pakoje të amendamenteve kushtetuese, të cilat paraprakisht janë miratuar përmes një referendumi këtë vit. Si rezultat i këtyre ndryshimeve, presidenti i tanishëm, Vladimir Putin, mund të qëndrojë në pushtet deri në vitin 2036.

Sipas draftit të votuar, secili ish-udhëheqës i shtetit dhe anëtarët e familjes së tij automatikisht fitojnë imunitet të përjetshëm nga akuzat kriminale dhe administrative. Ata as nuk mund të ndalohen nga policia, të arrestohen, të bastisen apo të merren në pyetje.

Përjashtimi i vetëm është kur këta individë dyshohen për tradhti, por edhe në këtë rast, hetimet duhet të miratohen fillimisht nga Duma Shtetërore, Gjykata Supreme dhe Gjykata Kushtetuese, shkruan Free Europe.

Sipas ligjit të tanishëm, ish-presidentët kanë imunitet nga ndjekja penale vetëm për krimet e kryera gjatë kohës sa kanë qenë në pushtet.

Legjislacioni tash duhet të miratohet nga Dhoma e Lartë, Këshilli Federativ, para se të dërgohet në tavolinën e Putinit për t’u nënshkruar.

Dmitry Medvedev është i vetmi ish-president i Rusisë që ende jeton. Ai kishte shërbyer në këtë post nga viti 2008 deri në vitin 2012.

Shumë njerëz i shohin këto ndryshime ligjore si mënyrë për t’i mbrojtur Putinin dhe familjen e tij, kur ai të largohet nga pushteti.

(Kosova Sot Online)