BE-ja pritet t’ia ashpërsojë sanksionet Turqisë shkaku i eksplorimit në Mesdhe

  • A.P /
  • 09 December 2020 - 16:04
BE-ja pritet t’ia ashpërsojë sanksionet Turqisë shkaku i eksplorimit në Mesdhe

Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione kundër më shumë individëve dhe kompanive turke që janë përgjegjëse për shpimet eksploruese në ujërat e kontestuara të Detit Mesdhe, sipas një draft-deklarate të përgatitur për liderët e BE-së, e cila mund të miratohet në samitin e së enjtes.

Nëse miratohet kjo deklaratë, Bashkimi Evropian raportohet se do të përgatisë lista shtesë mbi bazën e listës së sanksioneve që tashmë janë në fuqi nga viti i kaluar dhe nëse ka nevojë, do të punohet edhe për zgjerimin e tyre, thuhet në një draft të deklaratës së parë nga agjencia “Reuters”.

Këto sanksione do të ishin pjesë e masave më konservatore që janë të mundshme për t’u marrë nga udhëheqësit e Bashkimit Evropian, të cilët në tetor u zotuan për përdorimin e të gjitha instrumenteve për t’i bërë trysni Turqisë që ta ndërpresë eksplorimin e hidrokarbureve afër brigjeve të Qipros dhe Greqisë.

Franca ka ofruar përkrahje për sanksione “sektoriale” ndaj ekonomisë turke. Megjithatë, Gjermania, Spanja dhe Italia vlerësojnë se vendosja e sanksioneve ndaj një aleati të NATO-s dhe një vendi kandidat për BE do ta vendoste Turqinë në të njëjtin grup me Rusinë, që shihet si armike e bllokut.

Mosmarrëveshja për eksplorimin e burimeve natyrore të energjisë në Mesdhe është pjesë e një grumbulli mosmarrëveshjesh që Turqia ka me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara, me të cilat ka qëndrime të ndryshme edhe për politikat rreth Libisë dhe Sirisë.

Megjithatë, diplomatët thonë se roli i Turqisë si vend që u ka ofruar strehim refugjatëve sirianë të larguar nga lufta e kufizon vullnetin e BE-së për ta ndëshkuar Ankaranë.

Greqia dhe Qiproja thonë se këto sanksione kundër Turqisë nuk shkojnë mjaftueshëm larg, duke kërkuar masa sektoriale vitin e ardhshëm, në rast se sjellja e Turqisë nuk ndryshon.

(Kosova Sot Online)