Rezultatet katastrofale nëpër teste të huaja, mësuesit kosovar më të kënaqurit në botë

  • A.P /
  • 09 December 2020 - 20:12
Rezultatet katastrofale nëpër teste të huaja, mësuesit kosovar më të kënaqurit në botë

Mësimdhënësit kosovar në testin ndërkombëtar për matematikë dhe shkencë TIMSS, kanë dalë të kënaqurit në botë me profesionin e tyre.

94 % e tyre janë shprehur shumë të kënaqur me profesionin e mësimdhënësit, ndonëse Kosova ka arritur vendin e 52’të për shkencë, e 49’të për matematikë, nga 58 vende të rezervuara gjithsej për shtete të botës.

Shqetësim lidhur me këto të dhëna të dala ka shprehur edhe Instituti EdGuard, duke njoftuar me të dhëna tjera të publikuara nga ky test.

“Sipas vetëbesimit në aftësitë e tyre në matematikë, nxënësit kosovar renditën në vendin e 5-të. Ky vetëbesim bie ndesh me arritshmërinë e tyre nga vet testi TIMSS”, thuhet në njoftim.

Sipas raportit të Ministrisë së Arsimit, të publikuar për detajizim të rezultateve të nxënësve, Kosova ka marrë pjesë për herë të parë në këtë test.

Sipas të gjeturave, në matematikë nga gjithsej 1000 pikë, nxënësit e Kosovës kanë marrë 444 pikë në matematikë, 56 pikë më pak se mesatarja ndërkombëtare dhe 181 pikë më pak se vendi i parë.

Përkundër rezultateve të dobëta në teste ndërkombëtare, mësimdhënësit kosovar kërkesat për rritje të pagave i kanë pasur të vazhdueshme. Si pasojë e kësaj, ka pasur edhe greva, që kanë ndërprerë procesin mësimor, përgjatë vitit të kaluar.

Mesatarja e rrogës në sektorin e arsimit është 549 euro. 

(Kosova Sot Online)