Kina zbulon vaksinën, rezulton 86 për qind efektive

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 11:12
Kina zbulon vaksinën, rezulton 86 për qind efektive

Një vaksinë eksperimentale kundër  koronavirusit e zbuluar nga gjigandi farmaceutik shtetëror kinez Sinopharm ka rezultuar me 86 për qind të efikasitetit , tha Ministria e Shëndetësisë e Emirateve të Bashkuara Arabe në një deklaratë të mërkurën.

Megjithëse u dhanë pak detaje, deklarata shënon informacionin e parë të lëshuar publikisht në lidhje me performancën e vaksinës kineze, e zbuluar nga Grupi Kombëtar Biotec i Kinës (CNBG), një njësi e cila i përket  Sinopharm. Emiratet e Bashkuara Arabe miratuan përdorimin e kësaj vaksine për punëtorët shëndetësor, moshat e vjetra, njerëzit me sëmundje kronike, mësuesit dhe fëmijët.

Provat klinike përfshinë 31,000 vullnetarë. Deri më tani, pothuajse 100,000 qytetarë në të gjithë Emiratet e Bashkuara gjithashtu kanë marrë vaksinën si pjesë e një programi vullnetar, tha Jamal Al Kaabi, një zyrtar i lartë shëndetësor i Emirateve të Bashkuara Arabe për CNN.

Zëvendës Presidenti dhe Kryeministri i Emirateve të Bashkuara Arabe Sheik Mohammed bin Rashid Al Maktoum u fotografua duke marrë vaksinën gjatë provave në muajin nëntor.

Në nëntor, kryetari i kompanisë farmaceutike Sinopharm Liu Jingzhen tha se dhjetra vende kishin kërkuar të blinin vaksinat e kompanisë. Ai nuk përmendi emrat e vendeve dhe nuk shtjelloi sasinë e dozave që ata propozuan, por ai tha se CNBG ishte në gjendje të prodhonte më shumë se një miliard doza gjatë vitit 2021.

Krahasuar me Pfizer dhe Moderna, shumica e vaksinave kineze nuk kërkojnë temperatura të ngrirjes për ruajtje, duke e bërë transportin dhe shpërndarjen e vaksinave shumë më të lehtë, veçanërisht në vendet në zhvillim e sipër që nuk kanë kapacitete të ftohjes.

Kompania farmaceutike Sinopharm shumë shpejt do ta zgjeroj përdorimin e vaksinës në shumë shtete të tjera, ku shpresojnë që efekti të arrij mbi 90 për qind të efikasitetit, shkruan CNN.

(Kosova Sot Online)