Vjosa Osmani e ngacmon Arban Abrashi: Ai nuk ka ardhur, si zakonisht

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 12:27
Vjosa Osmani e ngacmon Arban Abrashi: Ai nuk ka ardhur, si zakonisht

Kryeparlamentarja Vjosa Osmani e ka ngacmuar ministrin e Infrastrukturës, Arban Abrashi, i cili nuk është i pranishëm në sallën e Kuvendit.

Teksa ka thënë se deputetja e LVV-së ka pyetje për Abrashin, Osamani ka thënë se ministri po mungon “si zakonisht”.

“Deputetja Fjolla Ujkani pyetje për ministrin Abrashi. Ministri nuk ka ardhur si zakonisht. A dëshironi ta merrni fjalën? Urdhëroni deputete”, tha Osmani.

Deputetja Fjolla Ujkani e cilësoi të papërgjegjshme mungesën e ministrit Abrashi, ndërsa tha se gjatë fushatës në Podujevë ai kishte qëndruar vazhdimisht atje duke shtruar asfalt.

“Është e papërgjegjshme se si ministri Abrashi nuk gjen kohë që të vijë në Kuvend dhe t’u përgjigjet pyetejeve parlamentare të cilat kanë të bëjnë me problemet dhe hallet e qytetarëve, ndërsa jemi të vetëdijshëm që gjatë tërë kohës sa ka qenë fushata në Podujevë ai ka qenë i pranishëm atje duke ju shtuar asfalt e mbi asfalt. Por gjithsesi do të vazhdojë ta shtroj pyetjen”, tha Ujkani.

Pyetja e saj kishte të bënte me punimet në segmentin rrugor Prishtinë-Mitrovicë, që sipas saj po zhvillohen me ritëm të ngadalësuar.

(Kosova Sot Online)