Në Afganistan vriten një gazetare dhe shoferi i saj , distancohen talibanët

  • G.G /
  • 10 December 2020 - 12:34
Në Afganistan vriten një gazetare dhe shoferi i saj , distancohen talibanët

Disa persona të armatosur kanë qëlluar për vdekje një gazetare televizioni dhe aktiviste për të drejtat e grave në Afganistan si dhe shoferin e saj. Ky incident është dëshmi për shtimin e dhunës kundër gazetarëve në vendin e rrënuar nga lufta.

Gazetarja Malalai Maiwand, që punonte për Radiotelevizionin Enikas, u vra bashkë me vozitësin Mohammad Tahir, kur personat e armatosur e sulmuan veturën ku ndodheshin dy viktimat në Jalalabad, kryeqytet i provincës lindore të Nangarharit.

Vrasja e saj e çoi në dhjetë numrin e punëtorëve të medieve të vrarë në Afganistan vetëm gjatë këtij viti, shkruan The Guardian.

“Ajo ishte rrugës për në zyrë kur ndodhi incidenti”, tha një zëdhënës i guvernatorit provincial. Zona ku ndodhi vrasja ka qenë e njohur për aktivitet të militantëve, përfshirë ISIS-in, por asnjë grup ende nuk e ka marrë përgjegjësinë për sulmin.

Tariq Arian, zëdhënës i Ministrisë së Brendshme, tha se në 15 vjetët e fundit, shumica e gazetarëve të vrarë kanë qenë viktima të talibanëve.

Sidoqoftë, zëdhënësi i këtij grupi, Zabidullah Mujahid, mohoi se talibanët kanë qenë të përfshirë në këtë incident.

(Kosova Sot Online)