Franca paralajmëron viza të BE-së ndaj britanikëve që rrinë mbi tre muaj

  • G.G /
  • 10 December 2020 - 12:43
Franca paralajmëron viza të BE-së ndaj britanikëve që rrinë mbi tre muaj

Ministri i Çështjeve Evropiane i Francës, Clement Beaune, tha të enjten se qytetarët britanikë mund të kenë nevojë për viza për qëndrim më të gjatë se tre muaj në Bashkimin Evropian nga viti i ardhshëm.

Sipas tij, negociatat për këtë çështje ende janë duke vazhduar, shkruan Reuters.

“Për qëndrimet më të gjata se tre muaj, mund të ketë aplikim për viza, profesionale ose të tjera, dhe kjo është një pikë që ende është nën diskutim”, tha Beaune para gazetarëve.

Ky ministër vizitoi një stacion treni dhe terminalin në Paris për t’i kontrolluar objektet e reja të kontrollit kufitar para daljes së plotë të Britanisë nga Bashkimi Evropian nga 1 janari.

Britania e tha BE-së të enjten se duhet të bëjë koncesione të rëndësishme për ta zhbllokuar mosmarrëveshjen në bisedimet tregtare deri në fund të kësaj jave.

Palët kanë më së shumti mospajtime për të drejtat e peshkimit, rregullat e konkurrencës mes bizneseve dhe mënyrën se si do të mbikëqyrej marrëveshja e mundshme.

Darka e Kryeministrit Boris Johnson me Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila u organizua me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për tregtinë pas Brexit-it, ka përfunduar pa marrëveshje.

Qeveria e Britanisë tha se ende ka dallime të mëdha mes palëve, por bisedimet do të vazhdojnë dhe një vendim pritet të arrihet të dielën për atë se a do të mund të arrihet një marrëveshje.

(Kosova Sot Online)