47% e kosovarëve të diplomuar besojnë se industria e farmacisë po e përhap Covid-19

  • E.K /
  • 10 December 2020 - 15:11
47% e kosovarëve të diplomuar besojnë se industria e farmacisë po e përhap Covid-19

Një sondazh i fundit, i realizuar nga Grupi Këshillues i Politikave të Ballkanit në Evropë, tregon se 47% e kosovarëve të diplomuar në nivelin ‘bachelor, mendojnë se koronavirusi po shpërndahet nga kompanitë farmaceutike.

“Në Kosovë, 47 përqind e popullsisë me një diplomë kolegji besojnë se industria farmaceutike po përhap sëmundjen, krahasuar me vetëm 22.2 përqind me arsimin fillor. Kjo sugjeron që teoritë e konspiracionit janë ngulitur thellë në të gjitha shtresat e shoqërisë”, thotë studimi.

Sipas studimit, nivele më të ulëta të besimit në teoritë e konspiracionit të lidhura me Kinën janë gjithashtu të pranishme në mesin e serbve në Kosovë.

Sondazhi merret gjithashtu me një pasojë të mundshme të besimit në teoritë e konspiracionit – refuzimin në marrjen e vaksinave. Ai thotë se gatishmëria e qytetarëve në Ballkanin Perëndimor për të marrë vaksinë të mundshme është më e ulët se në vendet e tjera të Evropës.

Ministria e Shëndetësisë, në Kosovë, bëri me dije se do të përfitojë 360 mijë vaksina falas kundër koronavirusit nga Aleanca Botërore e Vaksinimit, e njohur si COVAX.

Megjithatë, deri më tani, ende nuk është zhvilluar ndonjë sondazh vendor që tregon për besueshmërinë e qytetarëve të Kosovës ndaj vaksinave potenciale kundër koronavirusit.

Dy vaksinat potenciale për imunizimin ndaj Covid-19 janë ajo e ndërmarrjes farmaceutike Pfizer, si dhe ajo e Moderna-s, kompani bioteknologjike.

Grupi Këshillëdhënës i Ballkanit në Evropë është një grup ekspertësh i themeluar në vitin 2013 nga Fondi Evropian për Ballkanin dhe Qendra e Studimeve të Evropës Juglindore të Universitetit të Grazit. 

(Kosova Sot Online)