Ende pa nisur zyrtarisht aplikimi, shfaqen problemet e para me faqen e Trustit

  • G.G /
  • 11 December 2020 - 09:57
Ende pa nisur zyrtarisht aplikimi, shfaqen problemet e para me faqen e Trustit

Qytetarët e Kosovës me padurim po e presin orën 15:00 ku edhe zyrtarisht fillon aplikimi për rimbursimin e 10 përqindëshit të kursimeve nga Trusti.

Por ende pa arritur koha, në faqen e Trustit kanë filluar të shfaqen problemet e para.

Shumë qytetarë të cilët janë të regjistruar në E-Trusti, po kanë probleme për qasje në llogari të tyre.

Në adresë të Syri.net Kosova, kanë ardhur ankesa, ku qytetarë të ndryshëm po kanë probleme në shërbimin “ Kam Harruar Fjalëkalimin” I cili I mundëson vendosjen e një fjalëkalimi të ri në rast se I vjetri nuk iu kujtohet.

Sipas qytetarëve, në këtë rast atyre nuk po iu vie në ‘email’ fjalëkalimi i ri, ani se kanë provuar dhjetëra here.

Ndryshe, sot duke filluar nga ora 15:00, do të fillojë aplikimi për tërheqjen e 10%-shit të Trustit.

Në lidhje me këtë, Trusti Pensional i Kosovës ka publikuar udhëzimet dhe formën e aplikimit.

1) Aplikimi për tërheqjen e 10%-shit do të bëhet vetëm përmes internetit (do të jetë një uebfaqe e veçantë, që do ta bëjmë publike sapo të hyjë ligji në fuqi) dhe jo fizikisht në zyrën e Trustit.

2) Aplikimi për tërheqje mund të bëhet nga çdo kontribues që ka mjete në Trust.

3) Aplikimi mund të bëhet vetëm me llogari bankare aktive personale në Kosovë (jo me llogari bankare të familjarit apo kujtdo tjetër).

4) Aplikimi me llogari bankare jashtë Kosovës nuk mund të bëhet.

5) Aplikimi me llogari bankare të biznesit nuk mund të bëhet.

Aplikimi bëhet në faqen: www.trusti10.org.

(Kosova Sot Online)