Liderët e BE-së ia vazhdojnë sanksionet Rusisë shkaku i konfliktit në Ukrainë

  • E.K /
  • 11 December 2020 - 10:27
Liderët e BE-së ia vazhdojnë sanksionet Rusisë shkaku i konfliktit në Ukrainë

Liderët e vendeve të Bashkimit Evropian të enjten ia dhanë dritën e gjelbër zgjatjes së afatit të sanksioneve kundër Rusisë edhe për gjashtë muaj për shkak të rolit të këtij shteti në konfliktin në lindje të Ukrainës.

Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, dhe Kancelarja e Gjermanisë, Angela Merkel, i informuan krerët e shteteve tjera për gjendjen në bisedimet e Formatit të Normandisë gjatë një samiti të BE-së në Bruksel. Ata e rekomanduan zgjatjen e afatit të sanksioneve për shkak të përparimit të vogël që është bërë, sipas diplomatëve të afërt me këto bisedime.

I ashtuquajturi Formati i Normandisë është një proces diplomatik, në të cilin po marrin pjesë Ukraina, Rusia, Gjermania dhe Franca, dhe me të cilin synohet zgjidhja e konfliktit në disa pjesë të Ukrainës mes forcave qeveritare dhe separatistëve të përkrahur nga Moska.

Formati i Normandisë nuk ka mbajtur samit zyrtar që nga dhjetori i vitit të kaluar, ndërsa samiti i parafundit ishte mbajtur në tetor të vitit 2016, shkruan Free Europe.

Sanksionet për herë të parë ishin vendosur në korrik të vitit 2014 pasi Rusia me forcë e kishte aneksuar Gadishullin e Krimesë nga Ukraina dhe kishte filluar t’u ofronte përkrahje ushtarake separatistëve në një konflikt në të cilin deri më tani janë vrarë mbi 13.000 njerëz.

Prej asaj kohe, afati i sanksioneve është zgjatur çdo vit për nga gjashtë muaj.

(Kosova Sot Online)