Pasi i shkrumboi me dronë, Erdogani thotë se s’ka mëri ndaj armenëve

  • E.K /
  • 11 December 2020 - 10:40
Pasi i shkrumboi me dronë, Erdogani thotë se s’ka mëri ndaj armenëve

Presidenti i Turqisë, Rexhep Erdogan, tha të enjten se nuk ka mëri ndaj popullit të Armenisë, por problemi është me udhëheqësinë e këtij shteti.

Duke folur në një konferencë të përbashkët me gazetarë me homologun azer, Ilham Aliyev, Erdogani tah se nuk ka probleme me popullin armen dhe se vendi i tij mund ta hapë kufirin me Armeninë, nëse vendi fqinj bën hapa drejt paqes rajonale.

“Nuk kemi mëri kundër popullit të Armenisë. Problemi është me administratën armene. Mbi 100.000 armenë jetojnë në shtetin tim”, tha ai.

Sidoqoftë, Turqia e ka përkrahur ushtarakisht Azerbajxhanin gjatë konfliktit me Armeninë, sidomos përmes ofrimit të dronëve të avancuar luftarakë, të cilët u përdorën për vrasjen e qindra ushtarëve e shkatërrimin e shumë makinerive ushtarake të Armenisë.

Presidenti turk e kritikoi Grupin e Minskut të OSBE-së për mungesën e një zgjidhjeje për konfliktin që filloi para gati 30 vjetëve.

Njëkohësisht, ai e çmoi rolin e Rusisë për t’u dhënë fund përleshjeve kufitare mes Azerbajxhanit dhe Armenisë muajin e kaluar, shkruan Anadolu.

Ai e komentoi edhe rezolutën e Asamblesë Kombëtare të Francës, me të cilën kërkohet njohja e Nagorno-Karabakut si shtet i pavarur. “As Pashinyani (kryeministri armen) nuk e pranon atë”, tha Erdogani, duke shtuar se Makroni ende nuk e ka mësuar politikën.

Sipas tij, administrata e Azerbajxhanit do të sjellë një epokë të përparimit në Karabak brenda një periudhe prej 3 deri në 5 vjetësh.

(Kosova Sot Online)