Argjentina pranë legalizimit të abortit, projektligji kalon në Dhomën e Ulët

  • E.K /
  • 11 December 2020 - 12:37
Argjentina pranë legalizimit të abortit, projektligji kalon në Dhomën e Ulët

Dhoma e UIët e Kongresit të Argjentinës të premten në mëngjes e miratoi projektligjin për legalizimnin e abortit.

Përmes këtij projektligji lejohet aborti i grave që janë shtatzëna deri në javën e katërmbëdhjetë. Ai u përkrah nga 131 deputetë, 117 ishin kundër, ndërsa gjashtë abstenuan. Projektligji tani do të votohet në Senat, ku pritet rezultat edhe më i ngushtë.

Shteti i Amerikës Latine është vendlindje e Papa Françeskut dhe projektligji për abortin erdhi në kohën kur disa shtete në rajonin me shumicë katolike po përballen me thirrje për t’u dhënë më shumë të drejta grave për këtë çështje.

Miratimi i këtij projektligji u përcoll me protesta të qytetarëve që ishin kundër dhe atyre që e përkrahën ndryshimin ligjor, shkruan Reuters.

Protestuesit që e përkrahën projektligjin u mblodhën para Kongresit. Ata mbanin në qafë shalle të gjelbra dhe pritën tërë natën për ta pritur votimin. Një projektligj i ngjashëm nuk kishte marrë numër të mjaftueshëm të votave më 2018.

Kundërshtuesit e projektligjit, që dalloheshin me shalle ngjyrë qielli, gjithashtu dolën në rrugë për të protestuar.

Ligji aktual argjentinas e lejon pengimin vullnetar të shtatzënisë vetëm në rastet kur ka rrezik serioz për shëndetin e nënës apo në rast të dhunimit seksual.

(Kosova Sot Online)