Gërmimet në Kizhevak të Serbisë, Komisioni Qeveritar mban sot konferencë për media

  • S.A /
  • 12 December 2020 - 09:32
Gërmimet në Kizhevak të Serbisë, Komisioni Qeveritar mban sot konferencë për media

Pas përfundimit të gërmimeve në Kizhevak të Serbisë, Komisioni Qeveritar për të Pagjeturit do të mbajë konferencë për media duke filluar nga ora 11:00.

Në ndërkohë në këtë lokacion janë gjetur afër 20 kufoma që dyshohet të jenë të shqiptarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Për disa ditë radhazi në këtë lokacion ka pasur kërkime nga Ekipi i Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe asaj të Serbisë.

Mbetet të dihet nesër nëse është konfirmuar se ato mbetje u përkasin shtetasve kosovar të vrarë gjatë luftës së fundit.

Në bazë të të dhënave të publikuara nga organizata joqeveritare Fondi për të Drejtën Humanitare në bazë të raportit të Zyrës së UNMIK-ut për Personat e Zhdukur dhe Mjekësi Ligjore, të cilat gjenden gjithashtu në bazën e të dhënave të organizatës Nisma Rinore për të Drejtat e Njeriut (YIHR), që nga viti 2001, në territorin e Serbisë në katër lokacione janë zbuluar varreza masive me trupat e 941 shqiptarëve të vrarë në Kosovë më 1999.

Sipas të dhënave të YIHR-it, në uebfaqen e saj ratusrbiji.rs, në Batajnicë afër Beogradit që nga viti 2001 janë zbuluar 744 trupa të shqiptarëve të Kosovës; në Petrovo Selo në Serbinë Verilindore të paktën 61 trupa; afër Liqenit Peruqac në Serbinë Perëndimore 84 trupa, ndërsa eshtrat e para në varrezën masive të Rudnicës në Serbinë Jugperëndimore u gjetën më 13 dhjetor 2013.

Kosova vazhdon t’i ketë 1,643 persona, për fatin e të cilëve nuk dihet asgjë që nga vitet 1998-’99.

(Kosova Sot Online )