Lexoni edhe:
Ivica Daçiq thotë se Clinton dhe Albright “gënjyen se serbët kryen masakra e vranë civilë”
Gjykata Kushtetuese e Austrisë të premten e shpalli jokushtetues ndalimin e përdorimit të mbulesës së kokës në shkolla fillore dhe e anuloi vendimin e marrë nga qeveria e së djathtës ekstreme vitin e kaluar.
Christoph Grabenwarter, Kryetar i Gjykatës Kushtetuese, tha se ky vendim i shkel barazinë, të drejtën e lirisë së mendimit, botëkuptimit dhe religjionit, shkruan Anadolu.
Ai shtoi se me këtë ligj janë vënë në shënjestër vetëm nxënësit myslimanë dhe si i tillë, ligji paraqet diskriminim në sistemin arsimor.
Sipas tij, ligji paraqet rrezik për kufizimin e mundësive për shkollim për nxënëset myslimane dhe mund të bëjë që ato të përjashtohen nga shoqëria.
Për më tepër, Grabenwarter tha se ndalimi vetëm i veshjeve fetare myslimane në sistemin arsimor do të rezultonte në stigmatizimin e një grupi të shoqërisë.
Kryetari i gjykatës gjithashtu tha se ky ligj nuk është në përputhje me parimin e paanshmërisë së kushtetutës, duke thënë se arsyetimet e dhëna nga qeveria për ta futur në fuqi këtë ligj nuk kanë qenë objektive.
Grabenwarter deklaroi se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese për anulimin e këtij ligji është obligim ligjor i Kancelarit të Austrisë, Sebastian Kurz, dhe e urdhëroi Ministrinë e Arsimit që t’i mbulojë shpenzimet e gjykatës për familjen që e ka paraqitur çështjen në gjykatë.
(Kosova Sot Online)