Agjencia Kundër Korrupsionit do ta ndryshojë edhe emrin, Selimi prezanton projektligjin e ri

  • E.K /
  • 14 December 2020 - 12:11
Agjencia Kundër Korrupsionit do ta ndryshojë edhe emrin, Selimi prezanton projektligjin e ri

Ministria e Drejtësisë e ka prezantuar para mediava një projektligj i cili sipas tij do ta reformojë Agjencinë Kundër Korrupsionit. Ministri Selim Selimi tha në konferencë për media se kjo agjenci do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit.

Selimi tha se ky projektligj do ta ndryshojë kornizën ligjore të kësaj agjencie.

“Është një projektligj i cili e prek rregullimin e Agjencisë Kundër Korrupsion – që ende quhet kështu derisa të hyjë ligji në fuqi – e cila do të quhet Agjencia për Parandalimin e Korrupsionit… Përkundër shumë aktiviteteve, Ministria e Drejtësisë fokus të veçantë i ka dhënë kornizës ligjore dhe normative”, tha Selimi

Ai tha se për këtë projektligj i kanë marrë parasysh edhe rekomandimet e organizatave të ndryshme vendore e ndërkombëtare.

“Grupi punues në përpilimin e draftit ka marrë parasysh komentet dhe rekomandimet nga mekanizma dhe raporte të ndryshme, qofshin këto organizata vendore apo ndërkombëtare… Janë të trajtuara të gjitha çështjet që u referohen pengesave në zbatim nga ana e organit zbatues dhe atyre çështjeve që nuk kanë qenë të mbuluara me dispozita përkatëse ligjore”, tha Selimi.

“Përmes këtij projektligji, Agjencia mveshet me kompetenca të qarta në funksion të parandalimit të korrupsionit, duke përcaktuar përfundimisht një kornizë efektive anti-korrupsion”, shtoi ai.

Ndërsa drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli tha se me projektligjin e ri kjo agjenci do të ketë më shumë funksion parandalues sesa hetues. Ai tha se me ndryshimet e bëra, do të shtohet edhe lista e zyrtarëve që do të duhet ta deklarojnë pasurinë e tyre. 

(Kosova Sot Online)