Misteri i rastit “Panda”: Pse Aleksandar Vuçiq nuk i tregon vrasësit e të rinjve serbë në Pejë?
Para 22 vitesh një ngjarje e tmerrshme shokoi Pejën. Dy persona hynë në një kafiteri në Pejë, dhe vranë 16 të rinj serbë. Bota ka dëgjuar për rastin “Panda”. Atëkohë faji u mbeti shqiptarëve. Deri në vitin 2013, kur Aleksandar Vuçiq e pranoi se në këtë rast ka dorë Serbia. Por deri sot, askush nuk u dënua, pavarësisht se Serbia e di kush ishin autoret e vrasjeve. Kush dhe për çka po e hesht këtë krim….Kush janë vrasësit e rastit “Panda”?
Sot 22 vjet më parë, Serbia ishte ngritur në këmbë për një krim që kishte ndodhur në qytetin e Pejës, ku gjashtë të rinj serbë ishin vrarë në një kafene. Siç ndodhte zakonisht asokohe, shteti serb ishte munduar që fajin t’ua hidhte shqiptarëve, duke rrahur e burgosur dhjetëra pejanë për krimin që nuk e kishin kryer.
Atë kohë u tha se disa persona nën uniformën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë hyrë në lokal dhe kanë vrarë të rinjtë serbë.
Mirëpo, shumë vjet më pas, shteti serb e pati pranuar se rasti i ashtuquajtur “Panda” ishte organizuar dhe shkaktuar nga vetë ata.
Tek vonë presidenti i Serbisë ka dalë publikisht duke thënë se Serbia nuk ka fakte se ky krim u krye nga shqiptarët, siç pretendohej atëkohë.
Aleksandër Vuçiq, në vitin 2013 njëfarë mënyre ka pranuar se krimin monstruoz në kafenenë “Panda” në Pejë, në vitin 1998, e kishte kryer shërbimi sekret serb, për t’ua mveshur shqiptarëve.
Vuçiq ka thënë se tashmë është pothuajse i sigurt se e di çfarë ka ndodhur në Kafenenë “Panda” në Pejë, ku janë vrarë gjashtë të rinj serb, por ende nuk ka dëshmi të mjaftueshme lidhur me këtë krim monstruoz.
“Jam pothuajse i sigurt se e di se çfarë ka ndodhur atje, por për këtë nuk kam dëshmi të mjaftueshme. Kjo është e gjitha që mund të them tani. Çfarëdo tjetër që do të thosha tani, dikush do të thoshte se po i shkel parimet e respektimit të punës institucionale”, ka thënë Vuçiq.
Megjithëkëtë, kryeministri serb e ka pranuar se organet shtetërore serbe kanë kryer krime monstruoze ai i “rastit Panda”.
“Kjo është një nga ngjarjet me të cilat, cilado që të jetë e vërteta e tyre, nuk besoj se do të mund të mburremi me ato çfarë kanë bërë organet tona”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka thënë se “rrënqethet” nga shumë gjëra që kanë ndodhur në të kaluarën në Serbi.
Madje Vuçiq e ka pranuar se e di kush fshihet pas këtij rasti të tmerrshëm që pësuan pejanët.
Por, prej atëherë, askush nuk është dënuar, e as marrë në pyetje lidhur me vrasjet e serbëve.
Më 14 dhjetor 1998, me urdhër të Sigurimit Shtetëror të Serbisë, në kafenenë “Panda” në Pejë ishte kryer një sulm terrorist, në të cilin ishin vrarë 6 të rinj serbë. Autoritetet serbe ia kishin mveshur krimin Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, me qëllim që kjo ushtri të etiketohej si organizatë terroriste dhe që të arsyetoheshin operacionet masive policore e ushtarake serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë.
Ish shefi i Sigurimit Sektret të Serbisë (DB) ka dëshmuar se gjashtë të rinjtë në kafenenë “Panda” në Pejë ishin vrarë nga njësitet paramilitare serbe të udhëhequra nga Milorad Ulemek – Legija, ndërsa ish-komandanti i Njësiteve Speciale Operative (JSO) ka thënë se vrasja ishte planifikuar e zbatuar me urdhër të Sigurimit Sekret serb, të udhëhequr nga Radomir Markoviq.
Pas kaq kohësh, po dalin fakte të reja.
Një video që e ka publikuar Syri.net tregon se si ish-pjesëtar të MUP-it serb, Slavko Nikic në uniformën e UÇK-së ka marrë pjesë në disa raste në Kosovë.
Nuk dihet nëse kjo deklaratë e tij, lidhet direkt me rastin “Panda”. Por dëshmitarët e rastit kanë zbardhur gjithçka.
Në një dokument të publikuar kohë më parë, është publikuar dosja komplete e këtij rasti të tmerrshëm, pas së cilit u fajësua Kosova dhe ushtarët e saj.
“Gjyqtari hetues i Gjykatës së Qarkut në Pejë bashkë me prokurorin publik të Qarkut kanë qëndruar në vendin e ngjarjes në prani të anëtarëve të misionit verifikues të OSBE-së, Kaufman Volfang, Gjorgjo Pikirila dhe …, me ç’rast është konstatuar si në vijim: Para kafenesë ‘Panda’ në tarracë janë gjetur 42 gëzhoja të kalibrit 7.62 mm AP, të prodhimit kinez. Në brendësi të lokalit në dysheme janë gjetur katër trupa të mbuluar me gjak. Nga ana e majtë, shikuar nga dera hyrëse pas anës së pasme, shihen 17 të shtëna nga projektilët dhe 8 goditje në banak nga ana e pasme. Në dysheme afër banakut janë gjetur tri gëzhoja të kalibrit 7.62 mm AP të prodhimit kinez, kurse pas banakut 7 vrima të projektilit nga ana e dyerve të kuzhinës të cilat gjenden menjëherë afër banakut. Po ashtu, aty shihen edhe projektilë të tjerë. Sipas udhëzimit të gjyqtarit hetues, trupat janë dërguar në spitalin e Pejës…”, thuhet në raport.
Pjesa tjetër e dokumentit është e dëmtuar dhe vështirë të lexohet, derisa në fund të raportit të faqes dy shkruan se sipas deklaratave të dëshmitarëve, dy terroristë me “fantomka” (maska) në kokë dhe të armatosur, me të hyrë në kafene kanë hapur zjarr në drejtim të mysafirëve, ku me pas janë larguar në drejtim të panjohur. Në kafene, sipas raportit, në ato momente qëndronin rreth 20 mysafirë.
Gjatë bisedës së mëtejshme, dëshmitari Nikola Rajeviq, thotë se i shtrirë në dysheme i ka parë dy terroristë sesi hapnin zjarr. Rajeviq njërin prej tyre e përshkruan të gjatë 185 cm, të hollë dhe të veshur me të zeza, derisa tjetrin si më të shkurtër, rreth 175 cm dhe të veshur po ashtu me të zeza.
Vrasja e 6 të rinjve serbë në kafeterinë “Panda” në Pejë, në vitin 1998, është krim, faktet e zbardhjes dhe autorët e të cilit janë fshehur rreth 15 vjet nga shteti i Serbisë, vlerësojnë përfaqësuesit e organizatave për mbrojtjen e të drejtave të njeriut në Kosovë dhe në Serbi.
Krimin, i cili është kryer më 14 dhjetor të vitit 1998, autoritetet e atëhershme të shtetit serb e patën quajtur akt terrorist dhe për të i patën fajësuar shqiptarët dhe Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës.
Rreth tri javë më parë, autoritetet e tanishme të larta të Serbisë kanë paralajmëruar se lidhur me krimin në Pejë, nuk ka argumente se e kanë bërë shqiptarët dhe se opinioni në Serbi do të ballafaqohet me lajme të tmerrshme lidhur me këtë rast.
(Kosova Sot Online)