Ministri gjerman i bën presion rregullatorit evropian që ta miratojë vaksinën para Krishtlindjeve

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 10:06
Ministri gjerman i bën presion rregullatorit evropian që ta miratojë vaksinën para Krishtlindjeve

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, e ka shtuar presionin ndaj Agjencisë Evropiane të Ilaçeve që ta miratojë një vaksinë kundër koronavirusit para Krishtlindjeve.

“Qëllimi ynë është një miratim para Krishtlindjeve në mënyrë që të mund ta fillojmë vaksinimin këtë vit”, tha ky ministër mbrëmjen e së hënës.

Ai u tregua i padurueshëm me Agjencinë Evropiane të Ilaçeve edhe të dielën, duke thënë se Gjermania ka krijuar mbi 400 qendra të vaksinimit dhe ka aktivizuar rreth 10 mijë mjekë dhe pjesëtarë të stafit mjekësor dhe tash është gati ta fillojë vaksinimin masiv nga e marta.

Ministri Spahn po bën thirrje për miratim të shpejtë të vaksinës së zhvilluar nga kompania gjermane “BioNTech” në bashkëpunim me kompaninë amerikane “Pfizer”, përdorimi i së cilës është autorizuar në Shtetet e Bashkuara, Britani dhe Kanada.

Sidoqoftë, Gjermania ende nuk mund ta përdorë këtë vaksinë, sepse është duke e pritur miratimin nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve, shkruan The Guardian.

Ndryshe, Gjermania ka vendosur që të zbatojë masa më të rrepta kufizuese në ditët e fundit të këtij viti dhe në pjesën e parë të janarit për shkak të shqetësimit se sezoni i festave mund të sjellë rritje të numrit të infektimeve dhe viktimave.

(Kosova Sot Online)