Në këto data pritet miratimi i vaksinës në BE dhe fillimi i vaksinimit në Gjermani

  • E.K /
  • 15 December 2020 - 13:20
Në këto data pritet miratimi i vaksinës në BE dhe fillimi i vaksinimit në Gjermani

Agjencia Evropiane e Ilaçeve pritet të marrë vendim pozitiv për vaksinën e parë kundër koronavirusit më 23 dhjetor, i ka thënë agjencisë Reuters një burim brenda qeverisë gjermane.

Miratimi i përdorimit të një vaksine kundër koronavirusit javën e ardhshme do t’i vendoste vendet e BE-së në vijë me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë e Madhe, ku fushata e vaksinimit tashmë ka filluar.

“Po, Agjencia do ta kryejë punën më 23 dhjetor”, tha burimi, duke iu referuar vlerësimit të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, shkruan The Guardian.

Ministri gjerman i Shëndetësisë, Jens Spahn, gjatë një konference për gazetarë tha se shpreson që BE-ja ta japë miratimin për përdorimin e vaksinës kundër koronavirusit para Krishtlindjeve, në mënyrë që vaksinimi të fillojë këtë vit.

Agjencia Evropiane e Ilaçeve në fillim të dhjetorit ka thënë se planifikon ta publikojë vendimin për vaksinën e Pfizerit më 29 dhjetor, ndërsa vlerësimin për vaksinën e Modernas më 12 janar.

Ndryshe, vaksina e kompanive Pfizer dhe BioNTech ka filluar të përdoret në Britaninë e Madhe, Shtetet e Bashkuara dhe Kanada, ndërsa ajo është miratuar për përdorim edhe në Meksikë.

Zyrtarisht, vendimin përfundimtar për vaksinën e re do ta marrë Komisioni Evropian, i cili zakonisht e respekton rekomandimin e Agjencisë Evropiane të Ilaçeve.

Gazeta gjermane “Bild” gjithashtu ka raportuar se më 23 dhjetor mund të merret vendimi për miratimin e vaksinës në BE, ndërsa më 26 dhjetor pritet të fillojë vaksinimi në Gjermani.

(Kosova Sot Online)