ShBA-ja afër miratimit të vaksinës së Moderna-s, është 94 për qind efektive

  • A.P /
  • 15 December 2020 - 15:47
ShBA-ja afër miratimit të vaksinës së Moderna-s, është 94 për qind efektive

Rregullatorët e ilaçeve në Shtetet e Bashkuara kanë thënë se vaksina e kompanisë “Moderna” kundër koronavirusit është 94 për qind efektive, duke ia hapur rrugën miratimit për përdorim urgjent, njësoj si vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”.

Analiza me rezultat pozitiv nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve nënkupton që vaksina e kësaj kompanie mund të bëhet e dyta që miratohet për përdorim urgjent në Shtetet e Bashkuara, shkruan BBC.

Lajmi për efikasitetin e lartë të vaksinës së Moderna-s erdhi vetëm një ditë pasi amerikanët në mbarë vendin filluan të vaksinohen me ilaçin që tashmë është miratuar për përdorim – vaksinën e Pfizer-it.

Ndryshe nga vaksina e Pfizer-it, vaksina e kompanisë “Moderna” nuk ka nevojë të ruhet në temperaturë tepër të ulët gjatë transportimit.

Në dokumentin me 54 faqe të Administratës së Ushqimit dhe Ilaçeve thuhet se nuk ka shqetësime specifike për sigurinë e substancës dhe se efektet anësore serioze janë të rralla.

Nëse vaksina miratohet nga ekipi i ekspertëve dhe nga Administrata e Ushqimit dhe Ilaçeve këtë javë, shpërndarja e vaksinës mund të fillojë brenda 24 orëve.

(Kosova Sot Online)