Gjermania shënon rekord shqetësues – 952 të vdekur nga Covid-19 për një ditë

  • E.K /
  • 16 December 2020 - 09:25
Gjermania shënon rekord shqetësues – 952 të vdekur nga Covid-19 për një ditë

Gjermania të mërkurën regjistroi rekord të numrit të viktimave të koronavirusit për 24 orë – 952. Shifra shqetësuese u shënua në ditën kur vendi hyri në fazën e re e më të rreptë të izolimit.

Rekordi i mëparshëm i shifrës së viktimave për 24 orë u shënua të premten e kaluar, kur për një ditë u regjistruan 598 të vdekur nga sëmundja Covid-19. Ky numër është dukshëm më i vogël se rekordi i së mërkurës.

Frika se pandemia po del nga kontrolli në ekonominë më të madhe evropiane i nxiti kancelaren Angela Merkel dhe guvernatorët e 16 rajoneve që të dielën të merrnin vendim për izolim të vendit të paktën deri më 10 janar.

Dyqanet dhe shkollat do të mbyllen nga e mërkura pas një periudhe të izolimit më të lehtë në nëntor, kur u mbyllën restorantet dhe baret. Sidoqoftë, masat e mëparshme nuk ndikuan që të parandalohet vala e dytë e pandemisë.

Përpos të vdekurve, të mërkurën në Gjermani u regjistruan edhe mbi 23 mijë raste të reja të infektimeve dhe numri i përgjithshëm i të prekurve shkoi në mbi 1 milion e 379 mijë persona. Ndërkohë shifra e përgjithshme e viktimave është 23.427.

Gjermania po e pret me padurim miratimin e vaksinës kundër koronavirusit nga Agjencia Evropiane e Ilaçeve. Ministri i Shëndetësisë, Jens Spahn, ka thënë se vendi i tij duhet ta fillojë vaksinimin e popullsisë 24 deri 72 orë pas miratimit të vaksinës së kompanive “Pfizer” dhe “BioNTech”, e cila tashmë po përdoret në Britani, ShBA dhe Kanada.

(Kosova Sot Online)